Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Rusia po përgatit popullin për përdorimin e armëve bërthamore.
Në një intervistë për BBC, Zelensky u kërkoi shteteve që të marrin masa për të parandaluar këtë gjë.
“Duhet të ketë goditje parandaluese”, tha ai, duke iu referuar sanksioneve dhe “jo sulmeve” ndaj Rusisë.
Në javët e fundit, ushtria ukrainase ka rimarrë pjesë të mëdha të territorit, në një kundërofensivë të suksesshme që ka detyruar trupat ruse të braktisin pozicionet e mbajtura prej kohësh.
Në atë që Kievi e përshkruan si përgjigjen e Moskës ndaj disfatës së saj, Presidenti Vladimir Putin ka aneksuar katër rajone të Ukrainës. Këto aneksime kanë ngritur frikën për një përshkallëzim të mundshëm në luftën 7-mujore.
Presidenti Putin dhe zyrtarë të tjerë të lartë rusë kanë sugjeruar se armët bërthamore të vogla dhe taktike mund të përdoren për të mbrojtur ato zona, megjithëse zyrtarët perëndimorë thonë se nuk ka prova që Moska është e përgatitur për ta bërë këtë.