
U njohën gjatë xhirimeve të filmit “Spiderman”, Zendaya flet për fejesën me Tom Holland: Është personi im i preferuar
Aktorja e njohur Zendaya ka folur së fundmi për marrëdhënien e saj me partnerin dhe të fejuarin Tom Holland, duke e quajtur “personin e saj të preferuar” dhe duke dhënë detaje për mënyrën se si po ecën fejesa dhe jeta e tyre së bashku.
Në një intervistë për Daily Mirror, Zendaya ka ndarë informacione mbi jetën e saj personale dhe profesionale, duke treguar se si e ndan kohën mes Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa investon paralelisht në karrierë dhe në marrëdhënien e saj.
Teksa iu përgjigj idesë se të punosh me partnerin mund të jetë e vështirë, aktorja u shpreh: “Sinqerisht, e di që disa njerëz mund të mendojnë se është e pakëndshme. Në shesh xhirimi, ai ka një prani të mrekullueshme dhe qetësuese, që jo vetëm më bën të ndihem rehat mua, por edhe të gjithë ata që punojnë me të”.
Ajo shtoi se, pavarësisht se mund të duket e njëanshme, Holland është i veçantë për të: “Ai nuk është vetëm personi im i preferuar, por edhe personi im i preferuar për të punuar”.
Megjithëse kalojnë shumë kohë së bashku, si profesionalisht ashtu edhe në jetën private, Zendaya theksoi se të dy janë shumë të kujdesshëm në mbrojtjen e privatësisë së tyre.
“Asnjëri prej nesh nuk dëshiron të fshihet apo të mos jetojë jetën normalisht, si të dalë për darkë. Por në të njëjtën kohë duam të mbrojmë privatësinë tonë. Duhet ta pranosh që disa gjëra dalin jashtë kontrollit, por ato që janë nën kontrollin tonë, i mbrojmë”, u shpreh ajo.
Kur nuk janë në xhirime, çifti e ndan kohën mes shtëpisë së Holland në Londrën Perëndimore dhe shtëpisë së Zendayas në Kaliforni. Aktorja, e lindur në Oakland dhe e rritur në Kaliforninë Jugore, pranoi se është lidhur shumë me jetën në Angli.
“Mbretëria e Bashkuar nuk mund të jetë një vendbanim i përhershëm tani, por për mua ndihet si shtëpia ime”, tha Zendaya, duke shtuar me humor se është përshtatur plotësisht me kulturën britanike, edhe pse nuk e kupton ende “obsesionin me ëmbëlsirat Jaffa”.
Zendaya dhe Tom Holland u njohën në vitin 2016 në sheshxhirimin e filmit Spider-Man: Homecoming. Thashethemet për lidhjen e tyre nisën një vit më pas, ndërsa çifti e konfirmoi publikisht romancën në vitin 2021.
Ata pritet të bashkëpunojnë sërish në filmin The Odyssey të Christopher Nolan, që do të dalë më 17 korrik, si dhe në filmin e ardhshëm Spider-Man: Brand New Day, i planifikuar për më 31 korrik.
comment
