Zeneli: Serbia po bën luftë hibride, kritika e mediave dhe gazetarëve ndaj Qeverisë nuk është luftë hibride

09:38 | 04 December 2024
zeneli:-serbia-po-ben-lufte-hibride,-kritika-e-mediave-dhe-gazetareve-ndaj-qeverise-nuk-eshte-lufte-hibride


Profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës dhe njohësi i mediave, Alban Zeneli, për FrontOnline, ka folur për ndikimin e luftës hibride në Kosovë, duke theksuar rolin e informacionit dhe dezinformimit në këtë kontekst.

Sipas Zenelit, termi “luftë hibride” i referohet një strategjie ku një shtet apo territor tenton të sulmojë një vend tjetër jo përmes forcës ushtarake, por përmes ndërhyrjes në sistemet shtetërore, shpërndarjes së informacionit dhe manipulimit të medias, kryesisht në mjedisin digjital.

‘’Termi luftë hibride, është kur një vend, kur një territor i caktuar tenton me sulmuar me një vend tjetër, përmes formave alternative, jo përmes ushtrisë, por duke ndërhyrë në sisteme shtetërore duke shpërndarë informacionin dhe përmes shpërndarjes së informacionit. Kjo është tipike kur shpërndahen dezinformata në raport me ambientin medial, në të cilin qëndron ajo shoqëri, krysisht në mjedisin digjital’’ thotë ai.

Zeneli ka theksuar se Serbia është një aktor kryesor në realizimin e luftës hibride në Kosovë, duke përdorur dezinformatat për të krijuar pasiguri dhe për të minuar besimin në institucionet e Kosovës.

‘’ Në Kosovë, Serbia bën luftë hibride dhe këtë nuk e mohon askush, por në tënjëjtën kohë, politikanët në Kosovë duke dashur me iu shmangë përgjegjësisë publike që kanë, i fajësojnë mediat dhe gazetarët që janë kritik në raport me ta’’ thekson ai.

Ai ka sqaruar se ndërhyrjet e Serbisë nuk bëhen përmes mediave tradicionale, por kryesisht përmes mediave sociale, ku shpërndahen lajme të rreme që përpiqen të dezinformojnë dhe manipulojnë serbët lokalë në Kosovë.

‘’ Kritika ndaj Qeverisë as më herët dhe as tash nuk ka qenë luftë hibride, sepse kritika ka për qëllim përmirësimin e shoqërisë, mirë po nëse flasim për mënyrën se si Serbia ndërhynë në sistemin e informacionit në Kosovë, jo përmes mediave kryesore por përmes mediave sociale, për shpërndarjen e dezinformatave, kjo është çështje që mund të vërtetohet lehtësisht, por është çështje, që duhet diskutim në shoqërinë tonë, por për bindjen time diskutimi është shtruar gabimisht dhe është shtruar me idenë për uljen e kredibiliteti të medias dhe kritikës së mediave ndaj Qeverisë dhe jo vetëm ndaj saj’’ potencon ai.

Zeneli ka përmendur gjithashtu strukturat e armatosura që Serbia ka të instaluara në Kosovë, siç janë Brigada Veriut dhe Mbrojtja Civile, të cilat Kosova i ka shpallur grupe terroriste.

Ai ka theksuar se ndërhyrjet e Serbisë, si shpërthimi në Ibër-Lepenc dhe incidentet në Bankës, janë pjesë e taktikave të luftës hibride, të cilat përdoren për të krijuar destabilitet dhe për të ndërhyrë në proceset e brendshme të Kosovës.

‘’Prandaj duke u nisur nga kjo Serbia në Kosovë bën luftë hibride me vetë faktin që ka struktura të cilat Kosova i ka shpallur terrosite siç është Brigada Veriut dhe Mbrojtja Civile, por jo vetëm këto të dyja, por edhe rasti i ndërhyrjes në Banjksë por edhe shpërthimi në Ibër-Lepenc, janë taktika të luftës hibride’’ shprehet prfoesori i gazetarisë.

 

Komento: