ZënendëskryemijstriBislimi pret ministrin britanik për Evropë, Leo Docherty

23:15 | 16 Dhjetor 2022

Bislimi pret ministrin britanik për Evropë, Leo Docherty.

Qeveria e Kosovës po merr masa të menjëhershme si afatmesme e afatgjata për të lehtësuar efektet e krizës energjetike. Kështu deklaroi zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë një takimi që zhvilloi me ministrin për Evropë të Mbretërisë së Bashkuar, Leo Docherty, i cili po qëndron në Kosovë në një vizitë zyrtare.

Ministri Docherty shprehu interesimin e tij rreth situatës në lidhje me sektorin e energjisë, si dhe perspektivën e Kosovës në kuadër të zhvillimit ekonomik.

Zëvendëskryeministri Bislimi me këtë rast e ka informuar ministrin Docherty mbi situatën e krijuar në Kosovë nga kriza energjetike që ka kapluar Evropën, si pasojë e efekteve të shkaktuara nga agresioni rus ndaj Ukrainës.

“Rehabilitimi i termocentraleve, të cilat aktualisht janë në gjendje të dëmtuar, si dhe shtimi i kapaciteteve në energji të ripërtëritshme, për të krijuar qëndrueshmëri në të ardhmen në këtë sektor, janë vetëm disa nga hapat e ndërmarra nga Qeveria”, deklaroi Bislimi, thuhet në një njoftim lëshuar nga Qeveria e Kosovës.

Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë gjithashtu se është miratuar edhe Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës 2022-2031, në mbledhjen e 113-të të Qeverisë.

“Ministri Docherty ofroi ndihmën e Britanisë, në mbështetje të sektorit të energjisë dhe arritjes së qëllimeve veçanërisht në energjinë e ripërtëritshme”, thuhet në njoftim.

E sa i përket zhvillimit ekonomik, zëvendëskryeministri Bislimi e ka informuar ministrin Docherty rreth resurseve dhe potencialeve që ofron Kosova, sidomos për investitorët e huaj në sektorin e IT-së e cila po njeh hov mjaft të madh dhe ka hapësirë të ketë zhvillim të përshpejtuar.

Sipas njoftimit, thuhet se zëvendëskryeministri Bislimi ka veçuar edhe dorëzimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dje në Pragë, të arriturat e qeverisë, reformat e deritanishme dhe indikatorët ekonomikë dhe demokratikë të vendit. Në takim, u diskutua dhe rreth zhvillimeve në procesin e dialogut.

Ministri Docherty u shoqërua nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott dhe udhëheqësja e Departamentit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Madeline Knox.

Komento: