Javën e kaluar Ministria e Arsimit ka pasur një takim me Drejtorët e Komunave të Arsimit.
Ministria e Arsimit ka bërë përpjekje që përmes DKA t’u bëhet presion mësimdhënësve që të mbahen orët e humbura gjatë grevës në vikend, edhe pse një gjë e tillë nuk parashihet në kontratë.
Mësim është mbajtur vetëm pjesërisht në pak shkolla sepse shumica absolute e mësimdhënësve dhe nxënëseve kanë refuzuar të paraqiten.
Javën e kaluar Ministria e Arsimit ka pasur një takim me Drejtorët e Komunave të Arsimit, ku ka bërë thirrje që të mbahet mësim edhe ditën e shtunë, për të plotësuar orët e humbura gjatë grevës.
“Drejtorët e DKA-së njëzëri janë pajtuar që secila komunë në vete të bëj një organizim për të zëvendësuar orët e humbura gjatë grevës mësimore” ka thënë Ministri i Arsimit.
SBASHK-u ka lëshuar një komunikatë ditën e premte duke iu drejtuar MASHT-it dhe drejtorëve komunal të arsimit se koha e kërcënimeve ka kaluar dhe mësim të shtunave nuk do të ketë. Gjithashtu SBASHK-u ka bërë të ditur se edhe kallëzimet penale ndaj kryetarit të Sindikatës nuk e ndalin këtë të fundit.
Drejtori Komunal i Arsimit në Fushë Kosovë, Islam Shabani, ka folur për Gazetën Express duke bërë të ditur veprimet që ka ndërmarrë kjo drejtori në lidhje me këtë çështje.
“Ne jemi pajtu me vendimin e ministrisë, dhe normalisht kemi ftu për mbajtje të mësimit, unë besoj se nuk ka kurgjo të keqe këtu. Unë personalisht nuk e kisha përfillë hiq vendimin e SBASHK-ut po çka me ba që arsimtarët na janë lazdru dhe po kanë qef mos me majtë mësim. Mendimi im është që duhen mbajtur orët e humbura, por çka të bëjmë që po përballemi më një eufori dhe një pjesë e madhe e arsimtarëve më tepër e kanë prej dembelisë mos me mbajt mësim. Përndryshe jam i bindur që nuk e kishin përfillë as vendimin e SBASHK-ut” tha drejtori Shabani.
Shabani gjithashtu tha që Komuna e Fushë Kosovës po ka probleme në këtë çështje për shkak të Komunës së Prishtinës sepse kjo e fundit nuk po mbanë mësim të shtunave dhe punonjësit e Fushë Kosovës po ndikohen nga këta të Prishtinës.
“Neve po na pengon që një pjesë e komunave nuk po punojnë, e sidomos Komuna e Prishtinës për shkak se jemi afër dhe arsimtarët po ankohen prej komunave tjera” ka shtuar Shabani.
Ndërsa Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka bërë një “zgjidhje” tjetër duke iu bindur Ministrisë dhe duke ruajtur marrëdhëniet me SBASHK-un
“Për t’i respektuar të dyja vendimet, ne kemi vendosur që të mbahet një orë më shumë gjatë orarit mësimor dhe të shtunën të mos punohet” ka thënë Shala, drejtoreshë e arsimit në Prishtinë.
Imer Imeri nga SBASHK-u, vendimin e Shalës e cilësuar si “hajgare”.
“Po supozojmë se në shkollën Dardania mbahet një orë shtesë jashtë orarit të punës si zëvendësim, në orën 18:00 bëhet ndërrimi i turnit, gjë që e pamundëson zgjatjen e orëve. E nëse mendojnë me i shkurtu ortë që me mbajt një orë më shumë, ajo është veç hajgare sepse është e njëjta sasi kohore në fund të fundit. Veprimin e tyre do ta quaja vetëm sa për sy e faqe, se nuk kanë qëllim me ba diçka” ka thënë Imeri.
Imeri gjithashtu ka bërë një premtim për mësimdhënësit të cilët i qëndrojnë besnik SBASHK-ut.
“SBASHK-u e mbron çdo punonjës i cili sanksionohet nga drejtoria e arsimimt, nëse ai vendos mos me punu në vikend” ka deklaruar Imeri.
SBASHK në një komunikatë ka bërë të ditur se Drejtoria Komunale e Arsimit në Obiliq ka nxjerrë një vendim me të cilin është publikuar një orar ku me datën 22, 28 prill dhe me 1 maj do të punohet.
E vendimin e ka kritikuar ashpër Imeri duke thënë se “Mësimdhënësit kanë kontrata individuale dhe kanë me punu 20 orë në javë. Ata e kanë orarin e punës nga e hëna në të premte. Është e vërtetë se mësimdhënësit gjithmonë kanë me pasë thirrje nga drejtorët për të punuar jashtë kontratës, por ata nuk do t’i qëndrojnë besnik thirrjes së sindikatës së tyre”
Krejt në fund Imeri i ka ftuar Ministrinë që të tërhiqen nga kjo përpjekje për shkak se po e çrregullojnë procesin mësimor.
“Ne shpresojmë që edhe ministra ta kuptojnë se me presione nuk arrihen këto objektiva. Ne shpresojmë që edhe drejtoritë e arsimit do të tërhiqen nga përpjekjet me zëvëndsu orët me dhunë për shkak se vetëm po e çrregullojnë procesin e rregullt mësimor. Dihet që përveç mësimdhënësve, as nxënësit nuk po i përgjigjen ftesës së ministrisë” ka përfunduar Imeri.
E gjithë kjo mosmarrëveshje erdhi si rezultat i grevës që organizoi SBASHK-u ku kërkonte rritje pagash për mësimdhënësit. E gjatë kohës sa greva zgjati, më të dëmtuarit ishin nënësit. SBASHK-u gjithashtu ka marrë përgëzime e lëvdata nga kolegët e tyre kudo në Ballkan dhe nga udhëheqësit më të lartë të Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës me 11 milionë anëtarë për punën, angazhimet, arritjet dhe organizimin e mirë sindikal.