Zëvendësimi i orëve të humbura, ky është lajmi i fundit

19:47 | 16 May 2019

SBASHK-u e konsideron të mbyllur procesin e mësimit.

Data 16 maj, sipas plan-programit mësimor, do të duhej të ishte dita e fundit e mësimit për maturantët.

Mirëpo, ata do ta mbajnë mësimin deri më 24 maj, sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit për kompensim të orëve të humbura gjatë grevës.

Ilmi Reçica, drejtor i gjimnazit shoqëror “Ahmet Gashi” në kryeqytet, thotë se megjithëse disa nota i kanë përfunduar, do ta respektojnë vendimin e ministrisë për kompensimin e orëve, pasi kështu u ka kërkuar Drejtoria e Arsimit e Prishtinës.

Sipas tij, për shkak të grevës 3-javore, programi mësimor ka qenë më i ngjeshur, por ai do të kryhet në tërësi.

E, iniciuesit e grevës kanë thënë se për ta, mësimi për maturantë tashmë ka përfunduar dhe maturantët duhet të merren me përgatitjen për testin final.

Kryetari i SBASHK-ut ka thënë se askush nuk duhet t’u bëjë presion mësimdhënësve, por as nxënësve, që ta vazhdojnë mësimin.

Këshilli për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, ka akuzuar SBASHK-un dhe udhëheqësin Rrahman Jasharaj, se janë mbi ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës.

Sipas KMDLNJ-së, duhet të pritet vendimi i plotfuqishëm i gjykatës dhe nëse del se SBASHK-u dhe Jasharaj kanë përgjegjësi për situatën e krijuar, atëherë duhet të bëhet kallëzim penal për shantazhim.

Ministria e Arsimit e ka vendosur 12 qershorin si datë për mbajtjen e Testit të Maturës Shtetërore.

Ky test, njëjtë si vitin e kaluar, do të mbahet për 4 ditë në të gjitha komunat e Kosovës.

Komento: