Zëvendësimi i orëve të humbura, ky është lajmi i fundit nga SBASHK-u

17:25 | 15 March 2019

Ende nuk është zyrtare nëse do të zëvendësohen orët e mësimit, të humbura gjatë grevës.

Sot është mbajtur një mbledhje e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë me Komisionin Parlamentar për Arsim dhe SBASHK-un.

Në këtë mbledhje, ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi ka përsëritur qëndrimin e MASHT-it të përcjellur me vendim për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës në arsim.

Në anën tjetër Komisioni Parlamentar ka rekomanduar që zëvendësimi i një pjese të orëve të humbura që parashihet të ndodh për 5 javë rresht të shtunave, të fillojë nga java tjetër.

E me këtë nuk janë pajtuar Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jashari në një prononcim për lajmi.net është shprehur se vendimi i MASHT-it për zëvendësimin e orëve të humbura nuk është i bazuar në ligj.

“Sot edhe ne ishim pjesë e këtij takimi dhe ne mbetëm në qëndrimet tona por duke pretenduar se do të ketë një bisedë pak më të lirshme dhe kërkuam që ministri të tërheqë vendimin. Duke u nisur nga fakti se vendimi i ministrit është jo i bazuar në ligj dhe vendimi cili do qoftë ai është në dorë të gjykatës”, tha Jashari për lajmi.net.

Jashari gjithashtu është shprehur se nuk ka asnjë ligj i cili i obligon mësimdhënësit për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës.

“Ne kemi diskutuar se në këtë mënyrë nuk bëjmë zgjidhje sepse mësimdhënësit e Kosovës nuk i obligon asnjë ligj për zëvendësimin e orëve të grevës”, tha Jashari.

Gjithashtu ai është shprehur se mësimdhënësit nuk obligohen për zëvendësimin e këtyre orëve me ligj, por mund të jetë vetëm obligim moral i tyre individualisht.

Megjithatë, Jashari potencoi në fund se nuk kanë ndryshuar qëndrim dhe se presin vendimin e Gjykatës që të veprojnë sipas tij.

Megjithatë, në këtë mbledhje, ministri Bytyqi ka përmendur disponimin e Drejtorive Komunale të Arsimit që të fillojë zbatimi i vendimit për kompenzimin e orëve të humbura, ndërsa ka paralajmëruar masa ligjore ndaj të gjithë individëve që do të përpiqen ta pengojnë zbatimin e vendimit.

Komento: