Zëvendëskryeministri Bislimi në takim me Varlehyn thotë se Kosova ka gatishmëri më të lartë se rajoni për anëtarësim në BE

19:20 | 08 December 2022

Bislimi në takim me Varlehyn thotë se Kosova ka gatishmëri më të lartë se rajoni për anëtarësim në BE.

Zëvendëskryeministri i parë për Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka takuar sot në Bruksel Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, të cilin e ka informuar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE gjatë këtij viti.

Siç thuhet në komunikatën e qeverisë, integrimi i Kosovës në BE është prioritet dhe synim strategjik.

“Që vitin e kaluar, Kosova kishte lajmëruar institucionet e BE-së për vendimin për aplikimin për anëtarësim në BE brenda këtij viti dhe tani është momenti për të formalizuar dhe dorëzuar aplikimin. Zëvendëskryeministri Bislimi, e informoi Komisionerin Varhelyi mbi vendimin për aplikimin për anëtarësim në BE. Integrimi në Bashkimin Evropian është prioritet dhe synim strategjik për Republikën e Kosovës. Kemi angazhimin e përkushtimin e plotë në intensifikimin e përpjekjeve tona dhe vazhdimit të forcimit të kapaciteteve institucionale në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Kosova gjendet tashmë në vitin e gjashtë të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

Siç bën të ditur ZKM, zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se niveli i përgatitjes dhe gatishmërisë së institucioneve është më i lartë se ai i vendeve të rajonit, në momentin e hedhjes së hapit formal të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Shtetet anëtare dhe përfaqësues të institucioneve kryesore të BE-së, janë takuar dhe informuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel, ekipi i zyrës së zëvendëskryeministrit Bislimi dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës e poashtu dhe nga takimet bilaterale të nivelit të lartë. Procesi i integrimit duhet të vazhdojë të jetë meritor, me prioritet mbështetjen, progresin dhe një perspektivë mbi anëtarësimin e ardhshëm”, thuhet tutje.

“Ne jemi të përkushtuar të tregojmë me të gjitha kapacitetet tona, vullnetin për të ecur përpara drejt Bashkimit Evropian. Avancimi në rrugën drejt Bashkimit Evropian do të thotë edhe përforcim i institucioneve e ecja në trajektoren e progresit në sundim të ligjit, demokratizim, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, politikat sociale, zhvillim ekonomik, kohezion shoqëror e vendi ynë po bën pikërisht këtë. Raporti për Vendin 2022, riafirmon të arriturat në këto fusha, që përfshijnë dhe periudhën e parë të plotë të raportimit mbi qeverisjen Kurti II”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Komento: