Zëvendëskryeministri Tahiri u përgjigjet gastronomëve: Duhet të mësohemi që të jetojmë me pandeminë

13:25 | 01 Nëntor 2020

Tahiri u përgjigjet gastronomëve: Duhet të mësohemi që të jetojmë me pandeminë.

Masat e reja të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me luftimin e COVID-19 në Kosovë, Shoqata e Gastronomisë i ka quajtur ndërhyrje në ekonominë e shtetit.

Sipas tyre, kjo ndërhyrje do të shkaktojë përmbysje dhe se do të jetë e vështirë të rikuperohet gjendja.

Lidhur me masat e reja, zëvendëskryeministri i parë i vendit, Besnik Tahiri, ka deklaruar për KP se vendimi për kufizimin e sektorit të gastronomisë është si rrjedhojë e rekomandimeve të profesionistëve, duke shtuar se derisa nuk ka vaksinë, duhet jetuar me pandeminë.

“Jemi mirë të informuar me situatën në sektorin privat, në veçanti me atë të gastronomisë, kjo mbyllje vjen si rrjedhojë e rekomandimeve shumë të fuqishme të profesionistëve që në këto rrethana të nisim me këtë fazë. Në këto rrethana përderisa nuk kemi një vaksinë, nuk kemi një veprim të shpejtë të mjekësisë të përgatitemi të jetojmë me pandemi, sikurse që nuk largohet kurrë”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka thënë se në fillim të javës do të ketë takim me Shoqatën e Gastronomëve dhe se do të shihet se çfarë do të bëhet me këtë sektor.

“Duhet që masat, disiplinën ta shtrëngojmë në masën më të madhe të mundshme, po gjithsesi duke e pasur parasysh sektorin privat. E dimë saktësisht se cila është kërkesa. Besoj që në fillim të javës do të bashkëbisedojmë me shoqatën e gastronomisë, në mënyrë që të shohim se çka do të mund të bëjmë për ta. Mirëpo, në mes të shëndetit publik, në mes të jetës dhe punës, ne duhet ta gjejmë një mes që e lehtëson dhe e mundëson edhe funksionalitetin e sektorit privat dhe jetës në përgjithësi, por duhet të jemi të kujdesshëm”, ka thënë Tahiri.

Shoqata e Gastronomeve të Kosovës ka caktuar një mbledhje të jashtëzakonshme të hënën në ora 14:00 pranë hapësirave të OEK-së, për të shteruar propozimet e anëtarëve të Kuvendit, dhe vendosur lidhur me hapat e ardhshëm që do të ndërmerren nga ky sektor.

Komento: