Zëvendëskryeministrja Balaj: Në zyrë s’kam gjetur as flamurin shtetëror e as deklaratën e pavarësisë

11:49 | 11 Qershor 2020

Zëvendëskryeministrja: Kam informacione që zyrën ku s’ka flamur të Kosovës e ka shfrytëzuar kabineti i Kurtit.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës nga radhët e NISMA-së, Albulena Balaj-Halimaj, ka thënë se në zyrën ku është vendosur nuk ka gjetur as flamurin e Republikës së Kosovës dhe as deklaratën e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Pasi i është kërkuar që të tregojë se a ka informacione se kush ka qenë më herët në atë zyrë, Balaj-Halimaj ka thënë se një gjë e tillë duhet të verifikohet por që sipas informacioneve që ka, atë zyrë e ka shfrytëzuar kabineti i Albin Kurtit sa ka qenë kryeministër.

“Sipas informacioneve që kam atë zyrë e ka shfrytëzuar kabineti i kryeministrit Kurti”, ka thënë ajo.

Zëvendëskryeministrja ka thënë se me vetë iniciativë ka vendosur flamurin e Kosovës, por thotë se në zyrën e saj ende nuk gjendet deklarata e pavarësisë së Kosovës.

Komento: