Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Veri, Lista Serbe zyrtarizon kandidaturën

21:58 | 18 April 2019

Zgjedhjet në Veri mbahen me 1 maj.

Lista Serbe, tashmë ka aplikuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për certifikimin për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Në mesnatë mbyllet afati për aplikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për certifikimin për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme të veriut.

Deri më tani në KQZ kanë aplikuar dy parti shqiptare, PDK dhe “Vetëvendosje”, kurse para pak çastesh edhe Lista Serbe ka aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në këto zgjedhje.

Këtë e ka konfirmuar për lajmin Valmir Elezi, zëdhënësi i KQZ-së.

“Së fundmi kemi pranuar edhe aplikimin e subjektit të tretë politik për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 19 majit në katër komunat. Lista Serbe ka paraqitur aplikimin për zgjedhjet për kryetarë në këto komuna”, ka treguar Elezi për lajmi.net, i cili shtoi se, afati për aplikim të subjekteve politike që duan të certifikohen për pjesëmarrje në këto zgjedhje mbyllet sonte në orën 24:00.

Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore më 19 maj.

Kujtojmë se katër kryetarët e këtyre komunave veriore, më 27 nëntor të vitit 2018, kanë dhënë dorëheqje, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia.

Ndërkaq, sot Qeveria ka ndarë 471 mijë euro për KQZ-në, për organizimin e zgjedhjeve në katër komunat veriore, Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut.

Komento: