Zgjedhjet e parakohshme, ky është qëndrimi i AAK-së

08:48 | 18 March 2019

AAK thotë se nuk u frikësohet kërcënimeve për zgjedhje të parakohshme.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila qeverisë me vendin, thotë se nuk u frikësohet kërcënimeve të partnerëve të koalicionit për rrëzimin e qeverisë. Kjo parti shprehet e gatshme edhe për zgjedhje të parakohshme, por thotë se vendimi për taksën do të mbetet në fuqi deri në një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.

Deputetja e AAK’së Teuta Haxhiu, thotë se koalicioni aktualisht është stabil dhe se qeveria po e vazhdon punën e saj.

“Tashmë edhe qytetarët i kanë dëgjuar kërkesat e partnerëve tanë të koalicionit, sidomos PDK-së, për një qasje ndryshe sa i përket taksës. Mirëpo, ne si AAK mund të kthehemi te qytetari kurdo që të vlerësohet se kemi zgjedhje të tjera. Pra, ne jemi të gatshme për zgjedhje sepse nuk e qesim interesin politik para interesit të vendit”, ka theksuar Haxhiu për Radio Kosovën.

Nezir Kraki, profesor i shkencave politike në Universitetin e Parisit, thotë se kryeministri Haradinaj, nuk duhet të lëshoj pe sa i përket heqjes së taksës. Por, ai thekson se tani e tutje, duhet ditur se si të menaxhohet me taksën.

“Fatkeqësisht kryeministri Haradinaj nuk ka strategji se si ta menaxhojë tani taksën. Tani duhet njerëz rreth tij, që kanë strategji. P.sh., nga 100 % të zbritet në 80% dhe nëse Serbia i përmbahet çdo marrëveshje me Kosovën, atëherë në qershorin e vitit të ardhshëm taksa të ulet në 50%. Edhe BE-ja, që kërkon vazhdimisht heqjen e saj, duhet ta sheh Kosovën si shtet dhe të merr hap konkret për liberalizimin e vizave. Por, në rrethana aktuale taksa duhet të mbetet në fuqi”, është shprehur Kraki.

Në anën tjetër, deputetja Haxhiu, duke i komentuar kërkesat e BE’së dhe SHBA’së për heqjen e taksës, thekon se faktori ndërkombëtar çdo herë ka bërë presion mbi Kosovën dhe jo mbi Serbinë, e cila nuk i zbaton marrëveshjet e Brukselit.

“Kanë kaluar vite të tëra kur presioni ka ardhur vetëm në qeveritë e Kosovë e asnjëherë mbi Serbinë, që do të duhej të ndodhte. Pra, Serbia asnjëherë nuk i ka respektuar marrëveshjet që janë arrit në Bruksel”, ka theksuar Haxhiu.

Së fundi, BE’ja dhe SHBA’ja, i kanë shtuar presionet ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj për heqjen e taksës. Gjithashtu, pezullimin e taksës, për të paktën 120 ditë, e ka kërkuar edhe PDK’ja, që është partneri kryesor i koalicionit qeverisës.

Komento: