Zgjedhjet evropiane, a do të përfitojë Kosova nga Parlamenti i ardhshëm

21:33 | 25 May 2019

Kosova do të mund të përfitojë nga përbërja e parlamentit të ardhshëm.

400 milionë qytetarë të Bashkimit Evropian, nga e enjtja, kanë filluar t’u drejtohen kutive të votimit në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Nëpërmjet këtyre zgjedhjeve, do të caktohen 751 deputetët që do t’i përfaqësojnë ata në Parlamentin Evropian, raporton KTV.

Këto zgjedhje do të kenë ndikim edhe në Kosovë e në Ballkanin Perëndimor.

Aktivisti Ilir Seferi nga fondacioni BESA, thotë se është e rëndësishme që edhe kosovarët që janë shtetas të BE-së të votojnë në këto zgjedhje.

Sipas Seferit, listës së CSU-së me të cilën bashkëpunon fondacioni Besa, i prin Manfred Ëeber, i cili është në garë për kryetar të Komisionit Evropian.

Përndryshe, sipas tij, fondacioni, në vazhdimësi është duke bashkëpunuar me anëtarët e Parlamentit Evropian, për ta mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit.

Nga këto zgjedhje, Seferi beson se CSU-ja, me përkrahjen e shqiptarëve, do t’i sigurojë së paku 10 ulëse, derisa Kosova mund të përfitojë mjaftueshëm nga përbërja e re e Parlamentit Evropian.

Procesi i votimit mbyllet të dielën në shtetet tjera të Bashkimit Evropian, derisa Seferi ka thënë se fushata e këtyre zgjedhjeve ka shkuar pa asnjë incident.

Rezultatet nuk publikohen derisa të përfundojë procesi i votimit në të gjitha shtetet.

Komento: