Menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve në Shqipëri para gazetarëve ka dalë kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Klement Zguri.
Ai tha se nuk do të ketë zgjatje të afatit për të votuar edhe pse kishte disa deklarata për ta bërë këtë.
Zguri tha se pas përfundimit të orarit zyrtar, askush nuk mund të shkelë ligjin.
“Në rastin konkret dua të citoj kodin zgjedhor, orari fillon në 07:00 dhe mbaron në 19:00. E vetmja mundësi është nëse ka radhë, komisioni duhet të marrë dokumentet e identifikimit dhe kjo është mundësia e vetme që qytetarët të votojnë. Përtej kësaj votimet janë të mbyllur dhe askush nuk ka të drejtë të tejkalojë normat dhe ligjet. Marr shkas nga deklarata mediatike, ku bëhej fjalë për kërkesa që duhej shtyrë me rreth 30 minuta votimi. Votimi fillon në orën 07:00 dhe mbaron në orën 19:00. Askush nuk duhet të kalojë këtë orar. Është kërkesë e ligjit dhe askush nuk mund të tejkalojë këtë normë”, tha Zguri.
KQZ ka bërë të ditur se deri në orën 15:00 kanë dalë për të votuar vetëm 15, 5 përqind të votuesve.
Zgjedhjet lokale në u monitoruan nga 150 vëzhgues të OSBE, gjithashtu nga misionet e ambasadave të huaja në Shqipëri.
Policia e Shtetit ka angazhuar 7,779 efektivë, prej të cilëve 5,876 punonjës po angazhohen për ruajtjen e objekteve dhe 1450 të tjerë janë në gatishmëri të procesit zgjedhor.
Gjatë ditës në Tiranë dhe qytete të tjera janë mbajtur protesta nga opozita, duke thënë se këto zgjedhje janë vetëm votime, dhe se të njëjtat po bëhen sikur në kohën e diktaturës.
Ndërsa kryeministri Edi Rama pasi hodhi votën e tij tha se dita e sotme konfirmon që me popullin nuk luhet dhe se kush tenton të ia marrë sovranitetin popullit, fundin e ka me dështim.