Zgjedhjet në veri, flet Kryetarja e KQZ-së

21:00 | 06 May 2019

Valdete Daka, shefe e KQZ-së ka folur për zgjedhjet që do të mbahen në veri.

Daka ka thënë se OSBE-ja nuk do të ketë rol ekzekutiv në zgjedhjet e pjesshme lokale të 19 majit.

Daka, në emisionin “Përballje”, në RTV Dukagjini, ka thënë se deri më tani përgatitja për zgjedhjet në veri ka shkuar sipas parashikimeve dhe nuk ka pasur ndonjë problem, marrë parasysh situatën e ndjeshme në atë pjesë të Kosovës.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë se KQZ në fillim nuk ka cerfikuar anëtarët e Listës Serbe për shkak se ka munguar shumica prej 2/3 të gjithë anëtarëve të KQZ.

“Nga 11 anëtarët sa ka KQZ, nevojiteshin 8 vota që ne nuk ishin. Duhet të theksohet se anëtarët e KZQ-së nga Vetëvendosje nuk kanë votuar për certifikim të këtyre kandidatëve [nga Lista Serbe], duke treguar edhe arsyet e veta për këtë vendim. Pjesa tjetër e KQZ-së kanë thënë se këta kandidatë i kanë përmbushur kriteret e nevojshme për certifikim”.

Daka ka thënë se pas ankesës së Listës Serbe në PZAP, dhe vendimit të kësaj të fundit, KQZ nuk ka pasur alternativë tjetër, pos t’i certifikojë këta kandidatë.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka thënë se ky institucion ka personelin e vet edhe në këto komuna problematike të Kosovës dhe ata japin llogari para KQZ-së.

“Deri më tani ata zyrtarë [të KQZ në komunat veriore] nuk kanë deklaruar se kanë ndonjë presion. Nëse do të kishin do të duhej të raportonin në organet e sigurisë. Te unë deri tani nuk kanë raportuar ndonjë presion”, tha ajo, përcjell Telegrafi.

Daka ka thënë se KQZ ka memorandum bashkëpunimi organet e sigurisë në Kosovë, me të cilat bashkërendojnë operacionet para dhe pas zgjedhjeve.

“Ditën e zgjedhjeve përgjegjëse për siguri pas Policisë së Kosovës, janë edhe EULEX-I dhe UNMIK-u, por kemi bashkëpunim edhe me OSBE-në”.

Ajo ka shtuar më tej se ky bashkëpunim me OSBE-në është vetëm teknik dhe nuk ka ndonjë rol tjetër.

“Misioni i OSBE-së nuk ka rol ekzekutiv në zgjedhje qysh nga viti 2008. Me theks të veçantë në zgjedhjet e vitit 2013 dhe 2017, OSBE-ja ka pasur rol këshill dhënës…Ne kemi zyrtarët tonë edhe në atë pjesë të Kosovës, por ndoshta nuk e kanë përvojën si në pjesën tjetër të Kosovës dhe këtu vijnë në pyetje këshillat e OSBE-s”, tha ndër të tjera Valdete Daka.

Komento: