Zgjedhjet për kryetar në komunat veriore, asnjë aplikim zyrtar deri tani

14:26 | 11 April 2019

Me 19 maj do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore.

Deri më tani nuk ka pasur asnjë kandisim zyrtar.

Subjektet politike që duan të garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në ndonjërën nga katër komunat e veriut duhet ta bëjnë këtë gjë deri më datë 18 prill.

Kjo është dita e fundit e vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Afati i subjekteve politike për të aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme në këto katër komuna ka filluar të rrjedhë nga data 9 prill dhe do të përmbyllet më 18 prill”, ka treguar Elezi për lajmi.

Ndonëse janë bërë disa ditë që kur ka filluar të rrjedhë ky afat, sipas Elezit deri më tani asnjë aplikim nuk është bërë në këtë institucion.

Sipas afateve të miratuara nga KQZ-ja, certifikimi i subjekteve politike dhe kandidatëve do të bëhet me datë 22 prill pasi që të bëhet shqyrtimi i të gjitha aplikimeve dhe nëse i përmbushin kushtet ligjore, kurse tërheqja e shortit për renditjen e tyre në fletëvotimet e këtyre komunave do të bëhet më 28 prill.

KQZ-ja u ka caktuar kandidatëve që do të çertifikohen për pjesëmarrje në këto zgjedhje vetëm pesë ditë për fushatën zgjedhore (13 – 17 maj).

Komento: