Për 155 ditë pritet të përfundojë zgjerimi i rrugës në Veternik.
Kanë nisur punimet në zgjerimin e rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës nga ana e Veternikut, bashkë me urën që i lidhë rrugët nacionale N2 dhe N25.2, me kyçjen e autostradës R7 “Ibrahim Rugova”.
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj theksoi se ky projekt, i cili është dashur të fillojë shumë më herët, është i domosdoshëm për të përballuar fluksin e veturave që ia mësyjnë Prishtinës.
“Me qëllim të evitimit sa më të shpejtë të kolonave në këtë zonë, ai kërkoi nga kompania e kontraktuar që punët të përfundojnë sipas planit dinamik e në harmoni me standardet më të larta infrastrukturore”, thuhet në komunikatën për media.
Projekti për zgjerimin e rrugës nacionale N2 dhe N 25.2, bashkë me urën që i lidhë këto rrugë nacionale me kyçjen e autostradës R7 “Ibrahim Rugova”, ka kosto rreth 2.5 milionë euro. Ajo pritet të përfundojë për 155 ditë pune.