Zgjidhet instruktor në Akademinë Ushtarake Mbretërore “Sundhurst”, oficeri i FSK-së

10:38 | 19 March 2019

Kapiten Ismail Hoxha në këtë akademi do të jetë i angazhuar për dy vite rresht.

Bazuar në marrëveshjen ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, Forca e Sigurisë e Kosovës(FSK) do të dërgojë oficerin, kapiten Ismail Hoxha, si instruktor në Akademinë Ushtarake Mbretërore “Sandhurst”.

Me këtë rast, komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka pritur në zyrën e tij, kapitenin Ismail Hoxha për t`i uruar suksese dhe për t’i ofruar përkrahje të vazhdueshme gjatë angazhimit të tij në këtë akademi, e cila cilësohet si njëra ndër akademitë ushtarake më prestigjioze në botë.

Gjatë takimit, gjeneral Rama tha: ,,Kam nderin që t’ia dorëzoj flamurin e Kosovës kapitenit Ismail Hoxha, i cili me angazhimin e tij si instruktor do ta përfaqësojë në mënyrë të denjë vendit tonë në Akademinë Ushtarake Mbretërore “Sandhurst”.

Procesi i përzgjedhjes së oficerëve për të qenë instruktorë në këtë akademi është tejet rigoroz, prandaj FSK-ja po dëshmon se në strukturat e saj ka kuadro të përgatitur dhe të trajnuar sipas sipas standardeve të NATO-së, dhe të aftë për të dhënë kontribut në ngritjen e kapaciteteve edhe në akademitë ushtarake me renome botërore. Për më tepër, angazhimi i kapitenit Ismail Hoxha padyshim se do të kontribuojë në ngritjen e imazhit të FSK-së, jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar por edhe në mbarë botën.

Kapiten Ismail Hoxha në këtë akademi do të jetë i angazhuar për dy vite rresht, për të vazhduar më pas kontributin e tij në ngritjen e kapaciteteve trajnuese në FSK sipas mandatit të ri.

Kontributi i Mbretërisë së Bashkuar që nga vitit 2009 është i pazëvendësueshëm për zhvillimin dhe edukimin profesional të oficerëve të FSK-së.

Komento: