Lutfi Zharku kundër monopolit të Devollëve, i përgjigjet edhe Pal Lekajt.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, e ish-ministri i këtij dikasteri, Lutfi Zharku u bënë shkak i disa përplasjeve. Si fillim ishte puna e borxhit ndaj Bechtel Enkës, e dje Lekaj derisa raportoi për monopolin në homologim, zgjodhi që fajin përsëri ta gjuaj te ish’ministri. Në një prononcim për Gazetën Express, Zharku po thotë se ministrit të AAK’së po i shkon mandati duke u marrë me të.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj fajësoi edhe njëherë, ish-ministrin Lutfi Zharku, por, kësaj radhe jo për milionat e Bechtel Enkës.
I ftuar për të raportuar për monopolin në homologim, derisa i njëjti po përplasej me deputetët për këtë, zgjodhi që fajin të ia hedhë deputetëve dhe ish-ministrit Zharku.
“Ua kujtoj deputetë të nderuar, që ju jeni ata që e keni votuar dhe keni dhënë mundësinë që në ligjin ekzistues, afati është i pakufizuar. Dhe, nuk jam unë që e kam nënshkruar atë ligj. Nuk është MI, por jeni ju deputetë të nderuar që keni pasur përgjegjësinë edhe të MIT. Ka qenë vet ministri Zharku, por edhe kryetari i Komisionit, Muhamet Mustafa. Unë nuk i kam fajet që e kam pranuar këtë ligj, por unë si ministër i Infrastrukturës jam i obliguar që me përpikëri të implementojë ligjin e aprovuar nga Parlamenti i Republikës të Kosovës. Nuk jam fajtor unë dhe MI, është fajtor ligji që është miratuar”, u shpreh ai, teksa shtoi se ligji është i sponsorizuar nga Ministri Zharku.
Lidhur me këtë çështje, Gazeta Express ka kontaktuar ish-Ministrin e Infrastrukturës, deputetin e LDK’së Lutfi Zharku.
Zharku po thotë se nuk do të merret me atë që e flet ministri Lekaj, derisa deklaratat e tij i ka quajtur ‘pallavra’.
“Nuk merrem me pallavrat e Palit. Atij i shkoi mandati duke u marrë me mu se nuk e dinë çka me punu”, deklaroi Zharku për Express.
Deputeti i LDK’së, sa i përket akuzave të ministrit Lekaj po thotë se cdo kush mund ta lexojë ligjin dhe të shoh se ajo cka thotë ai nuk qëndron.
“Ligjin e aprovon Kuvendi i Kosovës dhe jo Qeveria por atij i përzihen edhe këto. Megjithatë, ligji është publik dhe çdo kush mundet me lexu a ka ndonjë dispozitë që i jep dikujt monopol”, shton tutje, duke thënë se ligji është bërë për të liberalizuar tregun, edhe në homoligim.
“Ligji është bërë për me e liberalize tregun në cdo fushë, përfshirë homologimin”, përfundoi Zharku.
Ndryshe, dje, Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, ka raportuar në Komisionin për Zhvillim Ekonomik e Infrastrukturë lidhur me monopolin në fushën e homologimit të veturave, derisa gjatë raportimit u zhvillua një debat i ashpër në mes deputetëve dhe ministrit.