
Një vajzë 15-vjeçare nga Deçani, e cila ishte larguar nga shtëpia pa njoftuar familjarët, është gjetur nga Policia pas disa orësh kërkimesh. E mitura ishte larguar mbrëmjen e së hënës, ndërsa patrulla policore e ka gjetur në orët e hershme të mëngjesit të së martës, mëson Gazeta Sinjali.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, bëhet fjalë për të miturën me inicialet E.K., rreth 15-vjeçare, zhdukja e së cilës ishte denoncuar nga nëna e saj.
Familjarët kishin raportuar se vajza ishte larguar nga shtëpia rreth orës 21:15, në drejtim të panjohur, pa i treguar askujt se ku po shkonte.
Shqetësimi ishte shtuar edhe për faktin se e mitura nuk kishte telefon me vete, çka e bënte të pamundur kontaktimin e saj.
Pas denoncimit, Policia kishte nisur veprimet për gjetjen e vajzës, ndërsa rasti ishte referuar edhe te njësitë hetimore.
Rreth orës 05:15 të mëngjesit, gjatë patrullimit në rrugën “Luan Haradinaj”, zyrtarët e Stacionit Policor në Deçan kanë hasur në 15-vjeçaren.
Ajo është dërguar fillimisht në Emergjencë për kontroll dhe trajtim mjekësor, ndërsa është paraparë të intervistohet në praninë e njërit prej prindërve, për të sqaruar rrethanat e largimit nga shtëpia.