Presidenti Hashim Thaçi ka 10 ditë që mungon, Presidenca thotë se është në pushime por s’tregon ku gjendet.
Ka më shumë se 10 ditë qëkur presidenti Hashim Thaçi nuk është shfaqur në publik.
Vendndodhja e presidentit Thaçi vazhdon të mbetet e fshehtë. Por, në një përgjigje me shkrim, Zyra e Presidentit ka thënë se presidenti ndodhet në pushime dimërore, raporton KTV.
Për dallim kur thuajse çdo ditë mbante konferencë për media, ditëve të fundit, presidenti, qëndrimet e tij për tema të ndryshme i ka bërë përmes rrjetit social.
Presidenti nuk ka marrë pjesë as në takimin e së hënës të ekipit shtetëror për dialogun, ndonëse ishte i ftuar.
Ndërkaq, ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se presidenti Thaçi ka hyrë në lojë të rrezikshme me idenë e tij për korrigjim të kufijve.
Tahiri ka pohuar se nëse presidenti Thaçi pajtohet që me Serbinë dialogu të mbyllet me këmbim territoresh, kjo do t’i bënte favor Sllobodan Millosheviqit, Aleksandar Vuçiqit e Vladimir Putinit.
Ajo, në Interaktiv, megjithatë, ka thënë se i takon Thaçit që të udhëheqë me dialogun.
Presidenti Thaçi është kritikuar në vazhdimësi se ka zhvilluar takime dhe biseda të fshehta me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Së fundi, Thaçi kishte zhvilluar një takim të paparalajmëruar diplomatik me ambasadorin e SHBA-së në Berlin, Richard Grenell, të cilit i kishte premtuar heqje të taksës 100 përqind ndaj mallrave serbe.