Zhdukja e koronavirusit, Fauci jep lajmin e keq

19:57 | 17 Maj 2021

Anthony Fauci: Koronavirusi nuk mund të eliminohet.

Imunologu i njohur amerikan Anthony Fauci, deklaroi se Covid, nuk mund të eliminohet plotësisht.

Gjatë një interviste për Fabio Fazio në ‘Che tempo che fa’, Fauci ka shtuar se “ne mund ta kontrollojmë atë”.

“Unë nuk mendoj se Covid mund të eliminohet. Ne mund ta kontrollojmë atë. Do të duhet të vazhdojmë vaksinat përforcuese çdo vit ose çdo vit e gjysmë. Por ne mund ta ndalojmë këtë pandemi, ne mund të zvogëlojmë infeksionet në mënyrë që ajo të mos jetë më një shqetësim publik”.

Fauci kujtoi se vetëm një agjent patogjeni deri më tani është çrrënjosur, ai i lisë.

“Vaksina Covid që do të merret në pilula nuk është ende një realitet, por ne po punojmë për të së bashku me Pfizer. Në SHBA, jemi duke vaksinuar adoleshentë të moshës 12 vjeç e lart me Pfizer, dhe besoj se drita jeshile për vaksinat nga kjo moshë do të jepet shumë shpejt në Itali dhe gjetkë, sepse të dhënat që kemi janë shumë të sigurta”, u shpreh ai.

Ai shtoi më tej:

“Ne ende nuk e kemi mundur koronavirusin. Por ndryshe nga viti i kaluar, tani kemi vaksina. Nëse shumica e popullsisë vaksinohet, ne do të jemi në gjendje të zvogëlojmë masat e sigurisë”.

I pyetur nëse do të ketë mbyllje të reja për shkak të pandemisë, Imunologu amerikan tha:

“Ekziston gjithmonë kjo mundësi nëse nuk bëjmë gjërat që duhet të bëjmë. Pas vaksinimit të pjesës së madhe të popullsisë, duhet të bëjmë hapa të kujdesshëm”.

Komento: