Zhegrova në radar të gjigantëve evropianë

11:50 | 19 Shtator 2024

Edon Zhegrova është emri më i përfolur ndër futbollistët shqiptarë kohëve të fundit.

Ylli nga Kosova po shfaq formë të jashtëzakonshme në dy vitet e fundit.
Dhe, këto paraqitje nuk kanë kaluar pa u rënë në sy klubeve të mëdha evropiane.

U përfol shumë për një largim eventual të tij në këtë verë, por një gjë e tillë nuk ndodhi dhe 25 vjeçari e vazhdoi qëndrimin në Francë.

Por, ky do të jetë sezoni i tij i fundit në Ligue 1, sigurisht.

Mediumi “Radio Montecarlo” raporton se 25 vjeçari ka përfunduar në radar të Real Madridit, përcjell “Gazeta Express”.

Gjithnjë sipas këtij mediumi, presidenti Florentino Perez është duke e përgatitur terrenin që ta transferojë ish-futbollistin e Baselit në verën e vitit 2025.

Zhegrova ka kontratë me Lillen deri në vitin 2026, por nuk pritet që ta respektojë atë deri në fund.

Krahas Realit, një tjetër gjigant evropian do të tentojë ta bëjë të vetin futbollistin ofanziv në verën e vitit tjetër.

Bëhet fjalë për Manchester Unitedin, i cili e pëlqen qe një kohë “Messin e Kosovës”.

Madje, në afatin kalimtar të verës “Djajtë e Kuq” e shihnin Zhegrovën si zëvendësues ideal të Jadon Sanchos, i cili përfundoi në Chelsea.

Portali “Unitedinfocus” sugjeron se klubi nga “Old Trafford” do ta rinisë një ofanzivë për anësorin e djathtë në muajt në vazhdim.

Javë më parë u përfol edhe për një interesim të Chelseat për Edonin, të cilin gjithashtu e pëlqejnë edhe në Itali e në Gjermani.

Zhegrova, aktualisht lojtari më në formë shqiptar, ishte transferuar në Lille nga Baseli në janar të vitit 2022.

Ai e ka mbërri kulmin e karrierës dhe është i gatshëm për ta bërë hapin e radhës në karrierë.

Ai së fundmi pati probleme në Kombëtaren e Kosovës, ku u përjashtua pasi i theu rregullat duke dalë pa leje nga hoteli.

Sidoqoftë, të gjithë shpresojnë që ta shohin atë duke e veshur prapë fanellën e Kosovës në muajin tetor.

Kartoni i Zhegrovës vlen 25 milionë euro, sipas faqes së specializuar për vlerën e futbollistëve.

Ylli kosovar i ka zhvilluar shtatë ndeshje në këtë fillim-sezoni dhe i ka realizuar 4 gola.

Komento: