Abuzime me milionat në emër të integrimit të veriut.
Miliona euro janë derdhur në emër të integrimit të katër komunave veriore, të cilat popullohen me shumicë serbe.
Burimet kryesore të financimit në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok janë nga buxheti i Kosovës, nga donacionet e Bashkimit Evropian dhe ndihma financiare nga Serbia, e cila vazhdon t’i mbajë gjallë strukturat paralele, shkruan sot Koha Ditore.
Sukses ishte konsideruar edhe krijimi i Fondit Zhvillimor për komunat veriore, në vitin 2013, pas një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë. Pas një periudhe të mirë të grumbullimit të të hyrave, muajt e fundit, Fondi ka pësuar rënie drastike.
Shkaqet që kanë sjellë këtë gjendje janë duke u hetuar, me kërkesë të Bashkimit Evropian. Arsyeja kryesore për rënien e të hyrave është zvogëlimi i importit nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina pas vendosjes së taksës prej 100 për qind.
E mjetet që tashmë janë derdhur në xhirollogaritë e komunave janë shpërndarë nëpër projekte të ndryshme. Por shpenzimi i tyre është shoqëruar me abuzime dhe me mungesë të transparencës.