Zhvatjet me çmimin e lartë të naftës, ja çka paralajmëron deputeti i VV-së – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Zhvatjet me çmimin e lartë të naftës, ja çka paralajmëron deputeti i VV-së

14:18 | 23 Nëntor 2019

Deputeti i VV-së paralajmëron zgjidhje.

Agjencia Kosovare e Konkurrencës ka paralajmëruar se do të dënojë kompanitë e naftës që operojnë në vend nëse brenda një periudhe një mujore nuk do të arrijnë të dëshmojnë që nuk i kanë kurdisur çmimet e karburanteve në treg.

Duarkryq për këtë problematikë nuk do të rrijë as qeveria e re që pritet të krijohet nga një koalicion në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Deputeti i zgjedhur nga partia e Albin Kurtit, Hekuran Murati, i cili është edhe ekspert i ekonomisë, ka thënë se për këtë çështje duhet bërë patjetër diçka, pasi që kjo situatë nuk mund të vazhdojë si e tillë.

Ai gjithashtu ka thënë se do ta analizojë edhe raportin e nxjerrë nga AKK-ja.

“Patjetër që duhet me dalë me një qëndrim. Kjo normal që duhet të bëhet diçka, nuk mund ta lëmë këtë situatë. Kemi folur edhe vitin e kaluar për këtë çështje ”, ka thënë Murati.

Murati ka thënë se çdo që e cila bllokon tregun e lirë do të rirregullohet, përfshirë edhe monopolet.

“Qëndrimi ynë është që çdo gjë që e bllokon tregun e lirë duhet me u rirregullua. Se sidomos monopolet, në këtë rast nuk është momopol, por kemi të bëjmë më shumë me kartel, ku bëhen bashkë me shumë kompani dhe e rregullojnë çmimin”, ka shtuar tutje ai.

Deputeti i VV’së thotë se kjo çështje duhet të trajtohet dhe të diskutohet paraprakisht për të gjetur një zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme.

“Kjo duhet me u trajtuar. E mënyra se si e bëjmë trajtimin ose qysh e gjejmë një zgjidhje, duhet me u diskutuar paraprakisht për me e gjet një zgjidhje më afatgjate dhe të qëndrueshme”, ka përfunduar Murati.

Dyshohet se 14 kompani të ndryshme që operojnë në Kosovë në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar kanë kurdisur çmimin e naftës.

Sipas Agjencisë Kosovare të Konkurrencës në nëntorin e vitit 2018 fitimi i këtyre kompanive ishte rritur më 60 % , ndërsa në dhjetor kishte shkuar fitimi në 124 %.

Këto kompani dyshohet se kanë fituar 50 centë nga një litër naftë, që atë kohë ishte blerë për 21 centë dhe në Kosovë ishte shitur për 1 euro e 20 centë.

Agjencia Kosovare e Konkurrencës ka paralajmëruar se nëse brenda 1 muaji kompanitë e naftës nuk arrijnë të dëshmojnë se nuk i kanë kurdisur çmimet, atëherë do të gjobiten me 10 për qind të qarkullimit vjetor të të hyrave të tyre.

E këto pretendime se ka pasur kurdisje të çmimit të naftës i ka mohuar Fadil Berjani nga Shoqata e naftëtarëve.

Komento: