Zhvillime të reja në rastin e të miturës nga Drenasi

18:55 | 26 September 2019

Rasti i vajzës së mitur nga Drenasi ishte rasti që tronditi të gjithë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ende nuk e ka dorëzuar në Gjykatë aktakuzën për rastin e abuzimit seksual ndaj vajzës nga Drenasi.

Edhe pse kanë kaluar rreth tetë muaj që nga publikimi i skandalit të abuzimit seksual me të miturën nga Drenasi, Prokuroria Themelore në Prishtinë ende nuk e ka gati aktakuzën për të dyshuarit.

Përkundër faktit se gjatë muajit maj dhe gusht ishte paralajmëruar që kjo aktakuzë të ngritej, një gjë e tillë nuk ndodhi me arsyetimin se janë zgjeruar hetimet.

Lajmi.net ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Prishtinë për të parë se deri ku kanë shkuar hetimet për këtë rast dhe kur pritet të ketë aktakuzë ndaj të dyshuarve.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj ka thënë për lajmi.net se në momentin që do të përfundojnë të gjitha hetimet, do të dorëzojnë në Gjykatë aktakuzën

“Hetimet kanë marrë kohë sepse janë zgjeruar nga ana e Prokurorit të rastit dhe e ka pritur edhe një ekspertizë tjetër, për t’i kompletuar hetimet edhe mandej me rezultu me aktakuzë. Hetimet nuk janë mbyllur ende. Jemi ende në pritje të aktakuzës edhe në momentin që përfundojnë të gjitha hetimet do të rezultojë më ngritje të aktakuzës”, ka thënë Ulaj.

Sipas dosjes së prokurorisë, e mitura nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht nga profesori i saj, Shkëlzen Xhekaj, dhe nga zëvendës-shefi i hetimeve në Policinë e Drenasit, Vesel Veseli.

Pas hetimeve të tjera, u ngritën dyshime se i përfshirë në rast ka qenë edhe avokati që ka publikuar skandalin, Gazmend Halilaj.

16-vjeçarja kishte abortuar në një klinikë private në Prishtinë pasi ishte detyruar nga i dyshuari kryesor, Vesel Veseli.

Lidhur me rastin, në arrest shtëpiak janë duke qëndruar ish-zëvendësshefi i hetimeve në policinë e Drenasit, Vesel Veseli, profesori Shkëlzen Xhekaj, avokati Gazmend Halilaj dhe gjinekologu që dyshohet se kreu abortin e së miturës, Fehmi Ahmeti.

Kujtojmë se skandali seksual i publikuar në shkurt të këtij viti kishte ngjallur reagime të mëdha në opinion.

Përveç raportimeve të mediave botërore, në Prishtinë dhe Drenas ishin mbajtur protesta masive në të cilat ishte kërkuar drejtësi për viktimën dhe ndëshkim për abuzuesit.

Komento: