Moska është e gatshme të negociojë kushtet e dorëzimit me Kievin në lidhje me ofensivën ushtarake ruse që po zhvillohet aktualisht në Ukrainë, tha të enjten sekretari i shtypit i Kremlinit, Dmitry Peskov sipas medias pro qeveritare Russia Today.
Sipas Peskov, presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur gatishmërinë e tij për t’u angazhuar në diskutime me homologun e tij ukrainas, me fokus në marrjen e një garancie sipas të cilës Ukraina do të jetë shtet neutral dhe nuk do të lejojë vendosjen e raketave të NATO-s aty, raporton abcnews.al.
Këto janë terma që, sipas Peskov, do të mundësonin arritjen e çmilitarizimit të Ukrainës dhe do të eliminonin atë që Rusia aktualisht e sheh si një kërcënim për sigurinë e shtetit dhe popullit të saj.
“Presidenti formuloi vizionin e tij për atë që ne do të prisnim nga Ukraina në mënyrë që të zgjidheshin të ashtuquajturat probleme të ‘vijës së kuqe’. Ky është status neutral dhe ky është një refuzim për të vendosur armë”, sqaroi Peskov.
Sekretari i shtypit shtoi se Putini do të përcaktonte kohën e negociatave, por dha garanci se Rusia do të angazhohej vetëm “nëse udhëheqja e Ukrainës është e gatshme të flasë për këtë”.
Madje, zyrtari rus tha se nëse Ukraina pranon kushtet ata do të ndalnin ofensivën e tanishme.
Kjo deklaratë është një zhvillim i rendësishëm në konfliktin Rusi-Ukrainë, pasi Kremlini e merr të mirëqenë se e ka situatën në dorë në fushëbetejë, ndërkohë që përplasja vazhdon.
Mbetet për t’u parë se cili do të jetë reagimi i qeverisë ukrainase ndaj kësaj deklatate, megjithatë deri më tani mes tyre ka patur një klimë të fortë mosbesimi pasi rusët nuk i kanë qendruar premtimeve të tyre.