Policia jep detaje për zjarrin në Graçanicë: Përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar.
Të paktën katër objekte janë përfshirë nga zjarri mëngjesin e sotëm në Graçanicë, ka bërë të ditur Policia e Kosovës për klankosova tv.
Sipas zyrtarit për informim të Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, dyshimet e para janë se zjarri ka filluar në një objekt përcjellës të një shtëpie e më pas është shpërndarë në katër objekte.
Nga ky zjarr përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për të lënduar.
“Rreth orës 07:30 është raportuar për një zjarr në Graçanicë.
Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ftuar edhe ekipet e zjarrfikësve.
Nga informatat e para në vendin e ngjarjes janë ngritur dyshimet se zjarri ka filluar në një objekt përcjellës të një shtëpie për tu shpërndarë më pas në katër objekte. Aktualisht përqendrimi është në lokalizimin e zjarrit në mënyrë që të shmangen pasojat e përhapjes së tij më tej dhe evakuimin e banorëve përreth.
Ndërkohë që janë ftuar edhe ekipe të tjera mbështetëse për fikjen e zjarrit, hetuesit e policisë për hetimin e rasteve të tilla të përkrahur edhe nga njësi të tjera për të menaxhuar me situatën, janë në vend ngjarjes të përqendruar. Nuk raportohet për persona të lënduar, përveç dëmeve materiale”.