Zjarr i madh në këtë në këtë komunë, aktivizohet ushtria

20:03 | 02 September 2019

Zjarret në malet e Gjakovës, aktivizohet edhe ushtria.

Për të pestën ditë, pyjet e Gjakovës në brezin kufitar me Shqipërinë po vazhdojnë të digjen.

Përkundër reagimit komunal, punën zjarrfikësve po ia vështirëson edhe terreni i papërshtatshëm. Për të ndihmuar shuarjen, është aktivizuar edhe ushtria.
Qindra hektarë me pyje janë përfshirë nga zjarri në brezin kufitar me Shqipërinë, e që janë në territorin e Komunës së Gjakovës.

Edhe pas 5 ditësh zjarri vazhdon, duke bërë që qytetarët e këtij rajoni të shqetësohen nga rreziku i shtrirjes edhe në pjesët tjera të pa përfshira.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Gjakovës, Luan Dinaj, ka thënë se në shuarje të zjarrit janë vënë zjarrfikësit e Gjakovës.

“Përkundër faktit që drejtoria jonë i ka shtjerrë të gjitha mundësitë me kapacitetet tona, kemi bërë kërkesë edhe në institucionet tjera për të na dalë në ndihmë për shkak të zjarreve”, thotë për RTV Dukagjinin, Luan Dinaj, përcjell Telegrafi.

Për gjendjen shqetësuese në këtë rajon ka treguar edhe Nexhat Thaçi, komandant i Njësitit të zjarrfikësve të Gjakovës, i cili ishte detyruar të kërkojë ndihmën e njësiteve simotra në Junik, Rahovec dhe Prizren.

Për gjendjen e krijuar atje ka reaguar kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, i cili përmes një postimi në Facebook, ka thënë se shpërthimi i këtyre zjarreve është shqetësues për shkak të shtrirjes në hapësirë shumë të madhe.

“Shpërthimi i zjarreve në komunën e Gjakovës është shqetësues për shkak të shtrirjes në hapësirë shumë të madhe. Jam në kontakt me kryetarin e Gjakovës dhe nga afër po e përcjellim gjendjen e krijuar. Janë mobilizuar zjarrfikësit e pesë komunave në rajon, si dhe Policia e Kosovës. Po ashtu, është mobilizuar me urgjencë një repart i ushtrisë në zonën e rrezikuar”, ka shkruar Haradinaj.

Shuarjen e zjarrit po e pengon edhe terreni malor që është i papërshtatshëm për depërtimin e zjarrfikësve.

Komento: