Zjarr i madh në kufirin Kosovë-Shqipëri, i afrohet fshatrave

23:09 | 31 August 2019

Fshatrat përreth kufirit Kosovë Shqipëri janë në alarm.

Zjarret kanë përfshirë malet në kufirin Kosovë-Shqipëri, e kur nuk kishte se si të shkonte më keq, ato zjarre i janë afruar fshatrave. Lexues që jetojnë në ato zona kanë treguar se shtëpitë në fshatin Popoc janë të rrezikuara më së shumti, por jashtë rrezikut nuk janë as shtëpitë e fshatit Shishman dhe Ponoshec.

Nga pamjet e dërguara shihet se zjarret janë përhapur në përmasa të mëdha.

Gjatë ditës, Express kishte kontaktuar edhe Xhavit Jasharin, Komandanti i Zjarrfikësve në Gjakovë, i cili ka thënë se nuk kanë arritur ta shuajnë atë.

“Po, është e vërtetë. Tash për tash jam në vendin ku është zjarri, pra në fshatin Popoc. Vendi quhet Vollka, e fshati Popoc. Zjarri është në përmasa shumë të mëdha. Është ka punon edhe Zoti kundër neve, është ka frynë jashtëzakonisht shumë sot në Gjakovë. Zjarri ka fillu para 4 ditësh. Është vend shumë kodrinor-malor, e po duhet 11 kilometra me ecë në këmbë veç për me arritë te vatra e zjarrit, po kur nuk po ke ujë edhe mjete të tjera që duhen për me shu zjarrin, është e pamundshme që të intervenojmë me fikë shpejt”, ka treguar ai.

Ai kishte thënë se 40 zjarrfikës gjatë ditës kanë qëndruar në mal duke tentuar që ta ndalojnë, por për shkak të përmasave të mëdha vështirë të kontrollohet.

Komento: