
AC Milan ka bërë hapin e parë konkret për të siguruar shërbimet e mbrojtësit të majtë ekuadorian, Pervis Estupiñán, nga Brighton & Hove Albion. Sipas raportimeve të fundit nga gazetari i njohur italian, Daniele Longo, klubi kuqezi ka dërguar ofertën e parë zyrtare këtë mbrëmje.
Shifrat e ofertës:
Milani ka ofruar 14 milionë euro si shumë fikse për kartonin e Estupiñán.
Marrëveshja përfshin gjithashtu bonuse të mundshme, të cilat nuk janë bërë ende publike, por mendohet se nuk kapin shifrën prej 5 milionë euro, transmeton ORAinfo.

Kjo është përpjekja e parë serioze e “Rossonerëve” për ta transferuar mbrojtësin para fillimit të turneut para-sezonal në Azi. Burime pranë klubit italian bëjnë me dije se drejtuesit duan ta mbyllin sa më shpejt këtë operacion, duke shmangur një tjetër rast ku objektivi i merkatos u humb në momentet e fundit.
Brighton ende nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare, por pritet që anglezët të kërkojnë një shumë më të lartë, duke njohur politikën e tyre të qëndrueshme në negociata.
Pervis Estupiñán, 26 vjeç, është një nga lojtarët më konstantë të Premier League në pozicionin e tij dhe konsiderohet si një alternativë cilësore për krahun e majtë, ku Milani kërkon më shumë thellësi.
Bisedimet mes palëve janë në vazhdim dhe pritet që ditët në vijim të jenë vendimtare për të ardhmen e mbrojtësit ekuadorian. /ORAinfo/