Djegia e arave ka dalë jashtë kontrollit.
Zjarret që po paraqiten në Gjakovë, por edhe vende të tjera të Kosovës, telashe po shkaktojnë edhe në rrjetin e energjisë elektrike. Shpeshtimin e këtyre rasteve shqetësuese po e sheh edhe KEDS-i.
Flakët nuk u ndalën vetëm në një arë në Maxhunaj të Vushtrrisë sikurse kishte për qëllim ai që e ndezi zjarrin. Zjarri kaploi edhe kabllot e largpërçuesit jo fort larg trafos.
Përveç Maxhunajt pa rrymë mbetën edhe fshatrat e tjera përreth.
Djegia e arave ka dalë jashtë kontrollit dhe po shkakton telashe në furnizim me rrymë dhe dëme të konsiderueshme KEDS-it.
Dëme të tilla nga zjarri pati edhe në qytete të tjera ku kryesisht u dogjën shtyllat elektrike, raporton KlanKosova.
Në disa vende ku kanë ndodhur këto dëme KEDS-i ka arritur të intervenoj për sanimin e dëmeve dhe kthimin e furnizimit me energji elektrike.
Këto veprime nuk i shohin fare të mira banorët e kësaj zone.
Policia ka apeluar tek qytetarët që të mos ndezin zjarre pasi kjo është një vepër penale dhe kryesit e veprave të tilla do të dënohen.