Zjarrfikësit e Gjakovës pranojnë donacion nga Zvicra

10:15 | 09 Mars 2026
zjarrfikesit-e-gjakoves-pranojne-donacion-nga-zvicra

Brigada e Zjarrfikësve në Gjakovë ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e ofruar nga partnerë dhe vullnetarë nga Zvicra, të cilët kanë kontribuar me një donacion për këtë njësi.

Në një njoftim publik, zjarrfikësit kanë falënderuar Jetmir Morinën, komunën e Thalwil si dhe vullnetarët zviceranë për kontributin e tyre në sigurimin e këtij donacioni.

“Falënderojmë sinqerisht Jetmir Morinën, Komunën e Thalwil-it në Zvicër, si dhe vullnetarët zviceranë për mbështetjen dhe kontributin e tyre të çmuar”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, realizimi i këtij donacioni është bërë i mundur falë angazhimit të Mihill Komani, zyrtar i lartë në Qendrën Operative, i cili ka organizuar dhe koordinuar ardhjen e ndihmës nga Zvicra.

“Ky donacion është realizuar falë angazhimit të Mihill Komanit, Zyrtar i Lartë në Qendrën Operative, i cili ka bërë organizimin dhe koordinimin e ardhjes së këtij donacioni nga Zvicra”, thuhet më tej në njoftim.

Zjarrfikësit e Gjakovës kanë vlerësuar se ky kontribut përbën një ndihmë të rëndësishme për brigadën dhe një shembull të bashkëpunimit dhe solidaritetit mes partnerëve ndërkombëtarë dhe institucioneve vendore.

“Ky donacion është një ndihmë e madhe për Brigadën e Zjarrfikësve dhe një shembull i solidaritetit dhe bashkëpunimit mes miqve tanë nga Zvicra dhe institucioneve tona”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

Komento: