Muharrem Beka, drejtor i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, ka treguar pakënaqësitë dhe kërkesat e papërmbushura të zjarrfikësve të vendit.
Ai fajëson tri ministritë përgjigjegjëse, nga të cilat nuk ka marrë përgjigje.
“Viti 2019 do të jetë vit i kthesës. Kemi shpresuar se ato kërkesat ligjore do të realizohen por nuk i kemi realizuar. Kemi pritur shumë sepse pritjet kanë qenë ashtu”, tha Beka për RTV Dukagjini.
Ai shtoi se zjarrfikësit nuk kanë kushte të mira të punës, për çka shton se nuk e kanë të lehtë të kryejnë punën e tyre.
“Me thënë të drejtën në të gjitha aspektet gjendja e zjarrfikësve nuk është e mirë. Edhe me mjete apo pajisje personale, edhe nga numri i zjarrfikësve, kompetencat, menaxhimi…Te zjarrfikësit asgjë nuk funksionon. Jemi jashtë përkujdesjes institucionale”, shton më tej Beka, përcjell Telegrafi.
Pavarësisht sfidave, Beka tha se zjarrfikësit kanë arsyetuar punën dhe nuk janë ndalur asnjëherë.
“Nuk jemi ndalur asnjëherë. Kemi qenë gjithmonë në shërbim edhe pse në vazhdimësi kemi pasur shkelje të ndryshme dhe denigrime të ndryshme profesionale dhe morale. Zjarrfikësit janë detyruar të punojnë gjithçka jashtë domenit të punës”, tha ndër të tjera Beka.
Kryesindikalisti i zjarrfikësve tha se nuk do të ndalen deri sa të përmbushen kërkesat e tyre.