Zjarrfikësit i çojnë letër Kurtit, kanë disa kërkesa.

17:36 | 04 Gusht 2021

Sindikata e Zjarrfikësve i çon letër Kurtit, ka disa kërkesa.

Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës u ka dërguar letër kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, të cilit u janë drejtuar me shpresën se nga ai do të shqyrtohet gjendja e rëndë dhe e papërballueshme që po e përcjell këtë sindikatë tash e disa vite.

Nga Sindikata e Zjarrfikësve thonë se shërbimi i zjarrfikjes dhe shpëtimit që nga paslufta vepron dhe punon në kushte të vështira në të gjitha komunat e Kosovës, ku sipas tyre kjo situatë është sepse asnjëherë nuk i është dhënë prioritet në zhvillimin, avancimin, përgatitjen dhe rritjen e kapaciteteve operative emergjente sipas misionit të zjarrfikjes.

“Tash është momenti qe kërkon angazhim dhe përkushtim maksimal i te gjithëve, por ne te ardhmen institucionet duhet te angazhohen qe shërbimi i zjarrfikjes dhe shpëtimit te trajtohet ashtu siç e meritojnë shpëtimtarët sipas themelimit dhe misionit te Shpëtimit te jetës se njeriut dhe te mirat materiale te shtetit”, thuhet në letrën e dërguar nga Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës në adresë të kryeministrit Kurti dhe ministrive të linjës.

Tutje, në letër thuhet se Sindikata është duke i përcjellur me shqetësim vatrat e zjarrit në Kosovë, ku në këto momente zjarrfikësit edhe pse në kushte të vështira dhe pa mjete adekuate, janë duke dhënë maksimumin që situata të vihet në kontroll, por që sipas tyre duhet mobilizim dhe angazhim i të gjithë mekanizmave të sigurisë që situata sa më shpejtë të vihet në kontroll dhe të ruhet jeta e qytetarëve por dhe pronat e tyre.

“Jemi te shqetësuar me problemet qe zjarrfikësit janë duke u përballur me vatrat e zjarrit, angazhimet shtese, me orar te zgjatur dhe pa përkrahje ne teren sa i përket pajisjeve dhe gjithashtu edhe mbështetja me ushqim, zjarrfikësit veprojnë me kushte shumë te vështira dhe gjithsesi duhet te intervenohet ne ketë drejtim. Prandaj nga Kryeministri dhe kabineti qeveritar ne koordinim me komunat e Kosovës urgjentisht te analizojnë situatën e krijuar dhe tu delen ne ndihmë zjarrfikësve te cilët me dite te tëra janë ne luftë me vatra te zjarrit”.

Më tej, ata kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të sigurojë mjete financiare shtesë që zjarrfikësve tu sigurohen kushte në këto rrethana, tu sigurohen edhe pajisje (shpinore, lopata dhe fshesa metalike) por edhe pajisje tjera që do të mund t’i përdorin edhe qytetarët vullnetarë të cilët sipas tyre janë të gatshëm të kontribuojnë në situatën e krijuar.

“Zjarrfikësit dhe te gjitha forcat ne teren duhet te mbështeten me te gjitha kapacitetet e mundshme, duhet gjithsesi qe te sigurohen edhe mjete financiare për kompensim gjatë mobilizimit dhe mobilizimet ne komunat tjera, për orarin e tej zgjatur dhe ne kushte shumë te vështira”, thuhet në letrën e Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës.

Komento: