Zjarri i madh në malet e Deçanit, ja çka po ndodh

19:02 | 10 March 2019

Pishat e Deçanit rrezikohen nga zjarri që ka përfshir disa male.

Një zjarr i madh ka përfshirë bukuritë e rralla natyrore, Pishat e Deçanit.

Nga zjarri të cilin po e përhapin edhe erërat, po rrezikohet edhe pushimorja e fëmijëve.

Brigada e zjarrfikësve ndodhet në vendin e ngjarjes, përcjell Radio-portali Njëshi.

Ende nuk dihen faktorët që kanë çuar në ndezjen e këtij zjarri, por dyshimet e para bazohen në faktorin njeri, gjegjësisht, mendohet se nga ndezja e mbeturinave kane ndodhur flakët.

Përmes profilit të tij në Facebook, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka apeluar te qytetarët që të kenë kujdes kur të pastrojnë fushat e tyre.

“Të nderuar qytetarë, ju lutem! Bëni kujdes të shtuar kur i pastroni fushat tuaja”, ka shkruar ai.

Ndërkohë djegia e pyjeve është kthyer në shqetësim këtyre ditëve. Në qytete të ndryshe të Kosovës gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar edhe gjashtë raste.

Sipas Policisë, mbrëmë si pasoje një zjarri gjatë pastrimit të një pemishte në fshatin Dumnicë e epërme, të Podujevës, ishte djegur një pyll pronë private. Njësit e zjarrfikësve kanë dal në vende ngjarje dhe kanë lokalizuar zjarrin.

Ndërsa, në fshatin Krojmir të Lipjanit, edhe dje janë përfshirë nga zjarri rreth pesë hektar me pyll. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet përkatëse. Nuk raportohet për të lënduar.

Po ashtu, në fshatin Dresnik të Klinës, raportohet për një zjarr në një hapësirë fushore dhe malore dhe si pasojë ishte përfshi edhe një shtëpi e pabanuar e pronarit mashkull serb, i cili nuk jeton në Kosovë. Njësit përkatëse dhe zjarrfikësit kanë dal në vendin e ngjarjes.

Kurse, në Pejë kishte dy raste. Njëri në fshatin Babiq, ku i dyshuari i ka vënë zjarrin një sipërfaqe prej 80 ari të pyllit të tij. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. E rasti tjetër ka ndodhur në rrugën ‘Asllan Qeshëm’, ku raportohet se persona të panjohur i kanë vënë zjarrin një pylli .Në vende ngjarje kanë dal njësit përkatëse dhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin .Nuk raportohet për të lënduar.

Kurse, në Prizren, është raportuar për një zjarr në një pjesë të pyllit në fshatin Jeshkovë dhe Billushe në një teren shumë të vështirë.

Njësit e zjarrfikëseve kanë dal në vendin e ngjarjes, mirëpo terreni është vlerësuar i vështirë. Zjarrfikësit janë në përpjekje për shuarje të zjarrit. Nuk raportohet për të lënduar.

Komento: