Zjarri kaplon një dhomë në Spitalin e Pejës, s’ka të lënduar: Digjet dhoma ku ishin pajisjet e Teknologjisë Informative

09:07 | 29 Maj 2024
zjarri-kaplon-nje-dhome-ne-spitalin-e-pejes,-s’ka-te-lenduar:-digjet-dhoma-ku-ishin-pajisjet-e-teknologjise-informative

Një dhomë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës është kapluar nga zjarri në orët e hershme të mëngjesit të sotëm. Përmes një njoftimi për media, nga Spitali njoftojnë se nuk ka persona të lënduar, por janë djegur disa pajisje të Teknologjisë Informative të cilat ndodheshin në dhomën në fjalë.

Rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm ka pasur një zjarr në katin e IV-të, të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë. Pjesëtarët e sigurimit kanë intervenuar menjëherë në shuarjen e zjarrit dhe po ashtu janë njoftuar Policia dhe Zjarrfikësit. Dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e një defekti në sistemin elektrik.

“Me intervenimin e shpejtë është ndalur përhapja e zjarrit, por një dhomë ku kanë qenë pajisjet e Teknologjisë Informative është djegur dhe tani jemi në proces të konstatimit të dëmit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se nuk ka rrezik për humbjen e të dhënave apo data bazës, pasi ato janë të lidhura me sisteme tjera informative.

“Sa i përket data bazës dhe të dhënave tjera të gjitha janë të ruajtura ngase janë të lidhura me sisteme tjera informative dhe asnjë e dhënë apo data bazë nuk është humbur.

Shërbimet ndaj pacientëve kanë vazhduar dhe po vazhdojnë të jepen si gjithnjë dhe puna po vazhdon normalisht, ndërsa ekipet e shërbimeve teknike janë duke u marrë me pastrimin dhe riparimet e nevojshme në dhomën e djegur dhe ambientet tjera të katit të IV të bllokut Kirurgjik”, njoftojnë nga Spitali i Pejës.

Komento: