Zjarri në Rugovë, ekipet e FSK-së dhe policisë në vendngjarje, evakuohen banorët

20:15 | 03 August 2021

Pasditen e sotme vatrat e zjarrit janë aktivizuar edhe në Rugovë të Pejës, duke u ofruar edhe shtëpive të banimit.

Bëhet e ditur se banorët të cilët ishin të rrezikuar nga zjarri tashmë janë evakuuar, ndërsa ekipet e shpëtimit, FSK dhe Policia kanë ndihmuar banorët të largohen nga shtëpitë e tyre.

Ndërkohë, ekipet e shpëtimit po bëjnë përpjekje për ta lokalizuar zjarrin.

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se ditëve të fundit kanë ndodhur shumë zjarre në vende të ndryshme, në veri të Kosovës dhe të gjitha u lokalizuan dhe janë vënë nën kontroll me përpjekje të madhe të njësive të zjarrit , policisë dhe pjesëtarëve të KFOR-it .

Policia ka apeluar te qytetarët të mos ndezin zjarre, pasi që kjo paraqet vepër penale.

“Pranë temperaturave të larta , dhe mbi 40 gradë , shkaku i zjarreve është edhe faktori njerëzor dhe pakujdesia dhe neglizhenca në shumë raste , dhe këto raste janë përcaktuar nga ana e inspektorëve kundër zjarrit në terren. Prandaj , ne paralajmërojmë qytetarët se zjarrvënia është vepër penale , dhe apelojmë qe t’i kushtohet vëmendja maksimale në fakte të cekura , dhe në këtë mënyrë te kontribuojnë në sigurinë e njerëzve , mbrojtjen e mjedisit si dhe ruajtjen e hapësirës ne te cilën jetojmë”, thuhet në njoftim.

Pjesëtarët e njësive të zjarrit , policisë dhe KFOR-it , pandërprerë janë në terren dhe marrin pjesë në lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit .

Gjithashtu policia ka shtuar se vazhdimisht janë në detyrë edhe në lokalitete në të cilët janë shuar zjarret apo janë nën kontroll për veprime parandaluese edhe në parandalimin e rasteve te reja.

Komento: