ZKA-ja: Zbatimi i prioriteteve për investime në KOSTT nuk është bërë në mënyrë efektive – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

ZKA-ja: Zbatimi i prioriteteve për investime në KOSTT nuk është bërë në mënyrë efektive

15:25 | 30 Korrik 2022

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Projektet kapitale të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (2015-2021)”.

ZKA ka njofuar se ky auditim kishte për qellim të vlerësojë nëse menaxhmenti i ndërmarrjes publike KOSTT ishte siguruar se projektet kapitale për vitet 2015-2021 janë prioritizuar dhe planifikuar në mënyrë të duhur.

Po ashtu, është vlerësuar nëse menaxhimi i proceseve të prokurimit është bërë konform legjislacionit në fuqi dhe nëse janë arritur rezultatet e synuara. Auditimi ka përfshirë aktivitetet e prokurimit që nga prioritizimi i tyre e deri tek rezultatet.

Rezultatet e auditimit tregojnë se, edhe pse kishte proces të duhur të vendosjes së prioriteteve për investime, zbatimi i tyre nuk është bërë në mënyrë efektive. Aktivitetet e prokurimit për këto investime nuk kishin qenë mjaftueshëm efektive dhe efikase, e në disa raste as ekonomike. Megjithatë, projektet e realizuara kishin mundësuar operim stabil të sistemit të transmisionit të energjisë.

Pavarësisht se KOSTT-i kishte vendosur procese për prioritizim të projekteve që janë në përputhje me praktikat ndërkombëtare, janë evidentuar mangësi në zbatimin e prioriteteve. Kjo për shkak se disa projekte që ka vlerësuar se kanë prioritet të lartë, nuk janë zbatuar edhe pas pesë viteve që janë identifikuar, ndërsa ka realizuar projekte të cilat për nga prioriteti qëndrojnë më ulët. Për pasojë mund të ketë jostabilitet në furnizim me energji, në disa rajone të vendit, në kohën kur konsumi i energjisë është i lartë.

“Po ashtu KOSTT-i nuk ka arritur të menaxhojë disa nga proceset e prokurimit në mënyrën e duhur për shkak se nuk kishte bërë hulumtim të mirë të tregut para përpilimit të specifikave teknike, ndarje jo të mirë të detyrave dhe menaxhim jo i mirë i kontratave publike, faktorë këta që kanë kontribuar në mosrealizim të objektivave të prokurimit”.

“Sipas gjetjeve të auditimit, realizueshmëria e kontratave sipas raportimeve të bëra nga KOSTT ka arritur që të reduktoj humbjet në energji dhe energjinë e pa dërguar te qytetarët. Mirëpo mungesa e inspektimit të pajisjeve dhe stabilimenteve elektroenergjetike të nënstacioneve elektrike nga Inspektorati i Energjisë në Ministrinë e Ekonomisë mund të rezultojë në pasiguri tek qytetarët dhe të sistemit elektroenergjetik”, ka njofuar ZKA.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me këtë auditim ka thënë se është e rëndësishme që KOSTT-i të organizojë në mënyrë më efikase resurset e veta për zbatim të projekteve sipas prioriteteve, si dhe për menaxhim më të mirë të proceseve të prokurimit me qëllim të arritjes së objektivave të synuara të projekteve.

Me qëllim të përmirësimit të proceseve të prioritizimit të projekteve kapitale, të aktiviteteve të prokurimit përfshirë menaxhimin e kontratave, Zyra Kombëtare të Auditimit ka dhënë 15 rekomandime për Bordin e Drejtorëve dhe kryeshefin ekzekutiv të KOSTT-it.

Komento: