Ibrahimovic: Kur luanin bashkë, Rooney kryente punën, Ronaldo lavdërohej nga të tjerët.
Zlatan Ibrahimovic nuk ia ka lejuar vetes mospërfshirjen në përballjen, që më së paku ka të bëjë me të, në mes të Cristiano Ronaldos dhe Wayne Rooneyt.
Shtatlart suedez u shpreh se, për sa kohë luanin bashkë, Rooney kryente punën më të madhe, teksa Ronaldo lavdërohej nga të tjerët.
“Kushdo që ka luajtur me Wayne Rooneyn, ai duhet të jetë i lumtur sepse ai i bëri ata më të mirë. Kur ai luajti me Cristiano Ronaldon, e gjithë puna ishte bërë nga Rooney, por Ronaldo mori lëvdata për golat”, tha ndër të tjera ai, shkruan SportBibble.
Sulmuesi i Milanit, që aktualisht gjendet e lënduar, ka kohë me bollëk që të “tjerrë” çdo gjë që ka të bëjë me Ronaldon.
Herave të kaluara dështoi që ta fuste portugezin në “kazanin” e provokimeve të tij, mirëpo tash, kur pesë herë fituesi i “Topit të Artë” po flet me “letra zbuluar”, Ibra po e sheh si mundësi të mirë një konkurrencë, të paktën në nivelin e deklaratave, sepse, siç dihet, në futboll nuk mund ta mbërrinte dot.