Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj ka folur për këtë parti dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
“LDK, për momentin, është partia më e përgatitur politike për zgjedhjet e 9 shkurtit dhe këtë e them me bindje të plotë, duke pas parasysh që ne jemi partia e vetme me plan dhe me projekt në tavolinë. Pra e vetmja parti që e ka një projekt serioz para vetes, të gjitha partitë tjera do të përgatiten për zgjedhje tek tash”, ka deklaruar ai.
Zogaj në këtë intervistë me kryeredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu, ka treguar se cili është programi politik i kësaj partie dhe pse LDK e Lumir Abdixhiku janë alternativa më e mirë për Kosovën.
Zogaj ka thënë se kanë kryer të gjitha reformat në parti dhe kanë kandidatin më të mirë.
“Kemi edhe një kandidat për kryeministër, i cili mendoj që është më i miri që mundet me pas vendi aktualisht për kryeministër. Një ekonomist, një profesionist superior, i cili edhe e ka tregu me vepra, i cili ka tregu me plane, me projekte që mund të jetë një prej kryeministrave ma të mirë që mund ta ketë vendi në këtë kohë”, tha Zogaj.
Kandidati për deputet i kësaj partie, tutje ka shtuar se Abdixhiku këtë përkushtim e ka treguar edhe në kohën kur ishte ministër.
“Atë e ka tregu edhe në kohën kur ka qenë ministër….Lumiri është menaxher i projekteve të mëdha kapitale, gjatë të cilën ne nuk jemi duke e pa tash tek kryeministri aktual, Lumiri është menaxher i projekteve, është menaxher i programit i cili implementohet me efikasitet të lartë. Jo politikan i demagogjive e i fjalëve të thata e boshe e jo politikan të themi kështu, i bisedave e i orientimit kah çështjet ballkanike”….ka deklaruar Zogaj.
Në këtë intervistë Zogaj ka folur edhe për tema tjera si inflacioni, zhvillimi ekonomik dhe përplasjes pozitë -opozitë për temat e mëdha në vend.