Ekspertët e çështjeve ekonomike në vend thonë se shumica nga këto zona ekonomike janë themeluar pa ndonjë analizë ekonomike në raport me tregun ndërkombëtar, në raport me investimet e jashtme dhe në raport me liberalizimin tregtar në përgjithësi.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu thotë se në rastin e Kosovës, vendimet për zonat e lira ekonomike janë politizuar.
Gërxhaliu mes tjerash ka shtuar se përfitimet mund të jenë shumë të mëdha nëse janë të orientuara në aspektin ekonomik dhe në tërheqjen e investitorëve të huaj.
“Të gjitha zonat ekonomike në vendet e rajonit kanë qenë të bazuara në fizibilitet ekonomik dhe kanë pasur arsyeshmërinë e vet, për fat të keq në Kosovë këto zona kanë qenë të politizuara dhe interes i partive politike i lidhur me grupet e caktuara të interesit se sa qëllim mirë për zhvillim ekonomik dhe në kë të drejtim po thuajse kanë qenë më tepër kampanja zgjedhore dhe mundësitë që të përfitohet nga këto zona janë shumë të mëdha nëse do të jenë të orientuara pastër në aspektin ekonomik dhe në rend të dytë nëse do ta kenë target tërheqjen e investitorit të huaj pa burokraci, korrupsion dhe nepotizëm”.
“Në Kosovë kemi raste të vogla të zonave ekonomike që kanë dhënë efekte pozitive por me sundimin e ligjit këto zona mund të jenë pjesë të zhvillimit ekonomik por gjithmonë të depolitizuara dhe jo vetëm në aspektin burokratik”.
Edhe kryetar i i AKB-së, Agim Shahini thotë se vendi ynë nuk është atraktiv që të iu përgjigjet zonave ekonomike, derisa ka shtuar se duhet të avancohen ligjet karshi kërkesave të investitorëve dhe bizneseve.
“Zonat Ekonomike janë të rëndësishme në çdo shtet por legjislacioni aktual në vend nuk është atraktiv që t’i përgjigjet zonës ekonomike dhe duhet të zëvendësohen ligjet të avancohen ligjet në përputhje me kërkesat e investitorëve dhe të realizohen kërkesat të cilat bizneset i kanë dhe investitorët në zonat ekonomike dhe ajo të jetë jo vetëm zonë ekonomike vetëm për vendin tonë por të jetë zona ekonomike ndërkombëtare”.
Shahini ka përmendur edhe disa prej të mirave që sjellin zonat ekonomike, si rritja e transportit, rritja e transaksioneve financiare dhe rritja e mundësive të ardhjes së korporatave të fuqishme.
“Rritja e transportit është mjaft interesant, rritja e punësimit, rritja e transaksioneve financiare në vend, rritja e mundësive të ardhjes së korporatave të fuqishme në vend dhe ne zonat që i kemi nuk ofrojnë ndonjë shërbim ekstra”, tha Shahini për EO.
“Nuk ka pasur analizë dhe pikërisht zonat në Kosovë janë keqkuptuar se çka janë dhe në vendet e ndryshme të Evropës ato janë zona me kapital të madh, me interes dhe korporata të fuqishme”.Ligji për zonat ekonomike në Kosovë parasheh katër lloje të zonave të lira ekonomike: zonat ekonomike apo parqet industriale, parqet teknologjike si dhe qendrat inovative.