Zotimi i Kurtit në fushatë/ Premtoi 5 shtëpi për të moshuarit, nuk e realizoi asnjë për 4 vite

08:38 | 07 Dhjetor 2024
zotimi-i-kurtit-ne-fushate/-premtoi-5-shtepi-per-te-moshuarit,-nuk-e-realizoi-asnje-per-4-vite

Në fushatën për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, kreu i VV-së, Albin Kurti, kishte premtuar  ndërtimin e të paktën pesë shtëpive të kujdesit për të moshuarit, një angazhim që kishte krijuar pritshmëri të larta.

Mirëpo, gati pas katër vitesh në pushtet, ky premtim ende nuk është realizuar. Asnjë shtëpi për të moshuarit, nuk është ndërtuar deri tani nga Qeveria “Kurti”.

E vetmja veprimtari e kryeministrit Kurti në këtë drejtim ka qenë vizita në Shtëpinë e Pleqve “Jetimat e Ballkanit” në Suharekë, e cila drejtohet nga humanisti Halil Kastrati.

Përveç kësaj vizite, në janar të këtij viti, Kurti hodhi gurëthemelin e një shtëpie për të moshuarit në Vushtrri. Megjithatë, kjo shtëpi është financuar nga Shoqata “Jetimat e Ballkanit” dhe jo nga Qeveria e Kosovës, duke theksuar se angazhimi i ekzekutivit në këtë projekt ka qenë i kufizuar.

Siç kishte thënë Kurti në atë ditë, “Siç kujdesemi për fëmijët, duhet të kujdesemi edhe për pleqtë,” por deri tani, fjalët nuk janë shoqëruar me veprime konkrete.

Deputetja e VV-së: Nëse ndërtimi i shtëpive për të moshuarit ka qenë në domenin e premtimeve uroj të realizohet

Lidhur me ndërtimin  e shtëpive për të moshuarit  për FrontOnline është deklaruar deputetja nga pushteti aktual Labinotë Demi-Murtezi.

Demi-Murtezi tha se nuk e di nëse do të fillojë implementimi I ndonjërës nga shtëpitë dhe shtoi se këto janë projekte që marrin më shumë kohë.

‘’ Nuk e di për besë nëse  do të fillohet implementimi i ndonjërës nga pesë shtëpitë. Ne po shohim lajme kohe pas kohësh nga ministri të caktuara , këto janë projekte që marrin kohë pak më shumë’’, tha deputetja për FrontOnline.

Deputetja e VV-së uroi që nëse ky ka qenë në domenin e premtimeve të realizohet Brenda këtij mandati.

‘’Urojmë që edhe kjo nëse ka qenë në domenin e premtimeve të arrihet të përmbyllet Brenda këtij mandati’’, përfundoi Demi-Murtezi.

Zemaj i LDK-së për ndërtimin e pesë shtëpive për të moshuarit: Veç premtim në letër

Armend Zemaj, deputet i LDK-së, e ka cilësuar premtimin për ndërtimin e shtëpive për të moshuarit si një tjetër “premtim në letër”, duke theksuar se është shumë i njohur dështimi i Qeverisë Kurti në realizimin e premtimeve të saj.

‘’ Po, edhe ky si shumë premtime tjera, mbetet veç premtim në letër, apo diku në fletushkat me dizajn të bukur të programit qeverisës’’, tha Zemaj për FrontOnline.

Ai shtoi se do ta befasonte nëse ndonjë premtim, qoftë edhe 30%, do të realizohej, duke kritikuar qeverinë  për mungesën e veprimeve konkrete

‘’Do të më befasonte nëse do ta realizonin ndonjë premtim, qoftë edhe 30%, sepse për mos realizim të tyre, për këto janë të njohur tashmë’ ’përfundoi Zemaj.

 

Haxhiu për ndërtimin e  pesë shtëpive për të moshuarit: Një prej rrenave të radhës

Bekim Haxhiu, deputet  nga rradhët e PDK-së, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mosrealizimin e këtyre premtimeve. Ai tha se asgjë nga programi i Qeverisë për periudhën 2021-2025 nuk është realizuar dhe e ka cilësuar atë si mashtrim të kryeministrit Kurti.

‘’ Nëse e shohim programin e qeverisë 2021-2025 e shohim se asgjë nga ato premtime por edhe krejt programi qeverisës nuk është përmbush thjesht janë mashtrime të Kurtit’’, tha Haxhiu për FrontOnline.

Haxhiu theksoi gjithashtu se ky mandat po përfundon dhe shtëpitë e të moshuarve as nuk janë në projekt buxhet , ai e vlerësoi këtë si një tjetër dështim të ekzekutivit, që është vetëm një prej shumë premtimeve të pa mbajtura në këtë mandat.

‘’ Ky mandate veçse përfundoi as në projekt buxhet nuk i ka vendosur, as nuk kanë filluar e as nuk kanë bërë asgjë sa I përket kësaj mbetet një prej rrenave të radhës bashkë me 44 mijëshen  me banesat për qift’’, përfundoi Haxhiu.

Dreshaj : Mos ndërtimi I shtëpive për të moshuarit  nuk është mashtrimi i  vetëm I Kurtit

Shemsedin Dreshaj, deputet nga rradhët e  AAK-së, ka theksuar se mos ndërtimi i shtëpive për të moshuarit nuk është mashtrimi i parë i Qeverisë Kurti gjatë katër viteve të pushtetit.

‘’ Mos ndërtimi I shtëpive nuk është mashtrimi I vetëm që e ka bërë Kurti këto katër vite në Kosovë’’, tha Dreshaj për FrontOnline.

Ai shtoi se, nëse për  katër vite  kjo qeveri nuk ka arritur të ndërtojë asnjë shtëpi për të moshuarit, mandati do të përfundojë pa e filluar asnjërën.

‘’ Nëse për katër vite nuk ka arritur ta ndërtojë asnjë shtëpi për të moshuarit unë mendoj që do ta kryej mandatin pa e filluar asnjërën’’, përfundoi Dreshaj.

Në Kosovë aktualisht operojnë 5 shtëpi të kujdesit për të moshurarit, përkatësisht në Prishtinë, Istog, Skenderaj ,Vushtrri si qëndrim ditor dhe në Graçanicë.

 

 

 

Komento: