ZRRE do të apeloj vendimin e Gjykatës Themelore për pezullimin e tarifave të reja

12:58 | 12 April 2022

Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur masë të përkohshme ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Në anën tjetër, Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike ka thënë se do të parashtrojnë ankesë brenda afatit ligjor pranë Gjykatës së Apelit.

Petrit Pepaj nga ZRRE ka thënë se përderisa kjo çështje pas ankesës së ZRRE-së, do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit, aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm

“ZRRE ju njofton se mbështetur në dispozitat ligjore të nenit 23 par. 2 Nenin 49 par. 1 dhe 2 lidhur me Nenin 63 të LKA-së, lidhur me Nenin 176 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (Ligjin Nr. 03/L – 006) do të parashtrojmë ankesë brenda afatit ligjor pranë Gjykatës së Apelit. Për informimin tuaj sipas Nenit 176 par. 2 të LPK-së, definohet se: Ankimi i bërë brenda afatit të përcaktuar me ligj pengon që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë në pjesën e goditur me ankim. Përderisa kjo çështje pas ankesës së ZRRE-së, do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit, aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm. Kjo është e definuar me Nenin 66 të Ligjit për Konfliktet Administrative ku përcaktohet se : “Vendimet e gjykatës mund të ekzekutohet atëherë kur bëhen të plotfuqishme dhe të ekzekutueshme”, ka thënë Pepaj për Indeksonline.

Këtë vendim të Gjykatës, opozita e kishte vlerësuar si fitore të tyre përballë Qeverisë, meqë në vazhdimësi kanë kundërshtuar aplikimin e tarifave të reja energjetike.

Komento: