ZRRE ende nuk ka pezulluar vendimin për shtrenjtimin e rrymës

17:03 | 17 April 2022

Çmimet në vendin tonë janë rritur, përfshirë këtu edhe energjinë elektrike.

Përkundër që Gjykata Themeloren ka vendosur për pezullimin e tarifave të reja të energjisë elektrike, Zyra e Rregullatorit të Energjisë(ZRrE) ende nuk ka pezulluar vendimin për shtrenjtimin e rrymës.

Kjo e fundit ka paraparë ta ankimojë në Apel vendimin e gjykatës, dhe të vazhdojë aplikimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike, ashtu sikur që është bërë prej 9 shkurtit e këndej.
Drejtues të ZRRE-së theksojnë se ankimi i bërë brenda afatit të përcaktuar me ligj pengon që aktgjykimi i gjykatës të bëhet i formës së prerë dhe nuk është i ekzekutueshëm.

“Me lejoni t’iu informoj se ZRRE-ja, mbështetur në dispozitat ligjore të nenit 23 par. 2 Nenin 49 par. 1 dhe 2 lidhur me Nenin 63 të LKA-së, lidhur me Nenin 176 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (Ligjin Nr. 03/L – 006) do të parashtrojë ankesë brenda afatit ligjor pranë Gjykatës së Apelit. Për informimin tuaj sipas Nenit 176 par. 2 të LPK-së, definohet se: Ankimi i bërë brenda afatit të përcaktuar me ligj pengon që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë në pjesën e goditur me ankim. Përderisa kjo çështje pas ankesës së ZRRE-së, do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit, aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm. Kjo është e definuar me Nenin 66 të Ligjit për Konfliktet Administrative ku përcaktohet se : “Vendimet e gjykatës mund të ekzekutohet atëherë kur bëhen të plotfuqishme dhe të ekzekutueshme”, thotë në një përgjigje me shkrim drejtori menaxhues në ZRrE, Petrit Pepaj, për KosovaPress.

Yll Zekaj nga IKD, thotë se vendimi i ZRRE-së i miratuar më 8 shkurt nuk prodhon efekt juridik, derisa ekziston masa në fuqi.

“Me vendimin të cilin e ka marrë ZRRE-ja për ngritjen e tarifave, me këtë vendim është parashtruar masa e përkohshme, e cila I ka paraprirë një padie eventuale. Me këtë rast gjyqtari ka marrë vendim për caktimin e masës. Masa është aprovuar dhe si rezultat i kësaj më nuk kemi efekt juridik të vendimit të ZRRE-së. Vendimi i ZRRE-së nuk prodhon efekt juridik derisa ekziston masa në fuqi. Kështu masa e bllokon tarifimin e ri të ZRRE-së dhe ZRRE obligohet me këtë masë që të kthehet në gjendjen para vendimit derisa gjykata nuk vendos në mënyrë meritore nëse vendimi i ZRRE-së ka qenë i ligjshëm apo i kundërligjshëm. Masa nuk e paragjykon vendimin, vendimi mund të jetë edhe i ligjshëm, por tanimë kemi një masë të përkohshme, i cili nuk e lenë në funksion vendimin deri në vendosjen meritore”, thotë Zekaj.

Ai shtoi se ZRrE-ja e ka të drejtën e ankimimit në Apel, por kjo ankesë sipas tij, nuk e ndalon ekzekutimin e masës.

“ZRRE-së i lejohet mjeti juridik që është ankesa kundrejt këtij vendimi, por ankesa nuk e ndalon ekzekutimin e masës. Masa është në fuqi dhe masa si e tillë e ndalon efektin juridik të vendimit derisa të vendoset, nëse eventulioasht ZRRE shtron ankesë, nëse shkalla e dytë e shfuqizon këtë masë apo e len në fuqi masën dhe kështu që kjo masë mbetet në fuqi derisa të vendoset në mënyrë meritore nga ana e gjykatës nëse vendimi i ZRRE-së ka qenë i ligjshëm apo i kundër ligjshëm”, thekson ai.

Sa i përket kompensimit të qytetarëve të cilët janë faturuar me çmimet e reja të energjisë elektrike, Zekaj thotë se nëse ka një konfirmim nga ana e gjykatës që vendimi ka qenë i kundërligjshëm, duhet të kompensohen të gjithë ata konsumatorë që kanë paguar më shtrenjtë energjinë elektrike.

“Tani në këtë moment kemi vetëm masë për veprimin e mëtutjeshëm, ZRRE nuk mund të inkasojë me tarifat e reja për kohën e ardhshme, kurse për dëmtimin e qytetarëve, nëse del që vendimi i ZRRE-së ka qenë i kundërligjshëm ajo (kompensimi) duhet të bëhet pas një shqyrtimi të padisë, pas marrjes së vendimit meritor nga ana e gjykatës. Pra, nëse kemi një konfirmim nga ana e gjykatës që vendimi ka qenë i kundërligjshëm, duhet të kompensohet i gjithë ai inkasim që është bërë me tarifa të larta, qoftë përmes kompensimit në faturat e ardhshme apo në mënyrat tjera që do t’i gjen ZRRE-ja për mënyrën e kompensimit të qytetarëve”, deklaron ai.

Ndërkaq, se a do t’i aplikojë tarifat e reja KEDS-i edhe për muajin prill, përkatësisht nga 9 prilli kur është marrë vendimi i Themelores, zyrtarë të saj, kanë thënë për KosovaPress, se kjo kompani është ekzekutive dhe lidhur me këtë çështje ZRrE-ja, është institucion vendimmarrës në sektorin e energjisë.

KEDS nuk ka dhënë përgjigje as sa i përket mundësisë së kompensimit të qytetarëve të cilët kanë paguar rrymën më shtrenjtë që nga 9 shkurti.

“KEDS është kompani ekzekutive. Lidhur me vendimet iu lutem drejtojuni ZRRE-së si rregullator dhe institucion vendimmarrës në sektorin energjetik, duke përfshirë edhe çështjet që ju i apostofoni”, thotë zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala për KosovaPress.

Edhe profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku kërkon që vendimi i gjykatës duhet respektohet nga ana e ZRrE-së.

“Kosova duhet të veprojë si shtet ligjor, vendimet e gjykatave duhet të respektohen dhe s’ka rrugë tjetër. Sigurisht që parat të cilat janë marrë në mënyrë ilegale duhet t’iu kthehen konsumatorëve. Ajo që është brengosëse është, se Kosova vazhdon qe 20 vjet një pjesë e popullatës të paguajë konsumin e energjisë elektrike për pjesën veriore. Shtohet pyetje, kur Kosova do të jetë në gjendje që t’i shpërndajë faturat e shpenzimit të energjisë elektrike në familjet serbe në veri? Prandaj, jemi në pritje të këtyre veprimeve”, theksoi ai.

Përndryshe, më 8 shkurt të këtij viti bordi i ZRrE-së kishte marrë vendim që nga 9 shkurti 2022 t’i shtrenjtojë tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët shtëpiak që harxhojnë më shumë se 800 kilovat në orë. 12.5 cent për tarifën e lartë dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.

Komento: