Nuk ka rritje të tarifave të energjisë elektrike.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), në një mbledhje të jashtëzakonshme që ka mbajtur sot, ka vendosur që ta shtyjë ekzekutimin e vendimit të datës 8 shkurt 2022 për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.
Ky vendim është marrë pasi që ZRRE ka pranuar vendimin e 18 majit të Gjykatës së Apelit, i cili vërteton aktvendimin paraprak të Gjykatës Themelore për këtë çështje.
““ZRRE më datë 18 maj 2022, ka pranuar nga Gjykata e Apelit Aktvendimin AA.nr. 364/2022 me të cilin, Gjykata ka refuzuar ankesën e ZRRE-së dhe ka vërtetuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike, të aprovuar nga ZRRE, derisa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me padinë e paditëses. Si pasojë e gjendjes së krijuar, Bordi i ZRRE-së me datë 20 maj 2022, në Seancën e jashtëzakonshme, ka nxjerr vendim, me të cilin shtyhet ekzekutimi i Vendimit V_1489_2022 i datës 08.02.2022, sipas Aktvendimit AA.nr.364/2022 të Gjykatës së Apelit”, thuhet në njoftim, raporton Gazeta Express.
Me 8 shkurt të këtij viti, me pesë vota për dhe asnjë kundër, Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, kishte marrë vendim për shtrenjtimin e tarifës së energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kW në muaj.
Me 11 prill, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte vendosur që të pezullojë përkohësisht ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të energjisë elektrike, por vendimi nuk ishte përfillur nga ZRRE dhe çmimet e rritura, vazhdonin t’u faturoheshin qytetarëve.