ZRRE ka një përgjigje për faturimin dhe ankesat e qytetarëve

18:52 | 21 February 2022

Kryetari i Bordit të ZRRE-së, ka një përgjigje për faturimin dhe ankesat e qytetarëve.

Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë(ZRRE), Ymer Fezjullahu gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi ka dhënë sqarime për ankesat e konsumatorëve sa i përket faturimit të fundit me tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike, nga 9 shkurti.

Kryetari Fejzullahu duke iu përgjigjur deputetëve të Kuvendit për mënyrën e faturimit, ka thënë se kalkulimi i tarifave të reja nga 9 shkurti është bërë në bazë të konsumit mestar ditor për periudhën e faturimit.

Ai tha se i kupton shqetësimet e qytetarëve, por kjo ja ndodhur për shkak të mungesës së njehsorëve të mençur.

“Sikur të kishim pasur njehsorë të mençur që e matin konsumin siç ndodhë në shumë shtete evropiane, kishte qenë shumë e thjeshtë për ne. Mënyra më e mirë e mundshme në këtë situatë ka qenë që të faturohet në bazë të konsumit mestar ditor për periudhën e faturimit. A është perfekte, për mendimin tonë nuk është, por kjo është bota ku ne operojmë bashkërisht. S’ka asgjë perfekt, kjo është mënyra më mirë e mundshme. Ne e kuptojmë që disa konsumatorë janë të shqetësuar, mirëpo ka qenë e domosdoshme me hy vendimi në fuqi”, theksoi Fejzullahu.

Për faturat e fundit me tarifa të reja, deputeti nga AAK-ja, Pal Lekaj ka thënë se shumica e qytetarëve janë dëmtuar me mënyrën e faturimit. Derisa paralajmëroi se shumica e qytetarëve do të bëjnë ankesë edhe në gjykatat përkatëse.

“Keni marrë një vendim me 8 shkurt për ngritje të çmimit të energjisë dhe faturat kanë ardhur me datën 19 të këtij muaji, andaj si mund ta cilësoni kur për qytetarët është bërë dyfishimi që të bëjnë pagesën jo për dhjetë ditë, por tërë muajin. Me çfarë formule e llogaritni që qytetarët të mos dëmtohen. Sepse ka qytetarë që në dhjetë ditshin e fundit nuk ka shpenzuar asnjë kilovatë, e ka pasur shtëpinë e mbyllur dhe kur i ka ardhur fatura ka ndodhur me një ngritje të çmimeve enorme. A ka ndonjë metodë që edhe në këtë drejtim të mos i dëmtojmë qytetarët. Janë dëmtuar, shumica kanë me bërë ankesë në gjykatë, sepse janë dëmtuar shumë rëndë”, theksoi ai.

Në diskutimin mbi mënyrën e përcaktimit të të hyrave të lejuara nga operatorët e rregulluar në sektorin e energjisë elektrike, profesori universitar, Florin Aliu ka shprehur shqetësimet e tij ndaj ZRrE-së për mënyrën dhe metodologjinë e përcaktimit të të hyrave për KEDS-KESCO-KOSTT.

Aliu i ftuar nga Komisioni për Ekonomi në cilësinë e ekspertit, tha se formula që rezulton me 8.3 përqind për të hyrat e lejuara për këto kompani është e pasaktë.

“Për me konfirmu dilemën time, Rregulltari ka përdorur një formulë standarde për caktimin e bazës, mjafton me e pa nivelin WACC-së. Në raportet e fundit që ka publikuar Zyra e Rregullatorit gjatë shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave ka treguar sesa mesatarja e ponderuar e kapitalit për OSSh, KEDS dhe KOSTT është në nivelin e 8.3 përqind. Atëherë si është e mundur që dy kompani në nivele të ndryshme borxhi, kapitali, rreziku dhe madhësi të aseteve, të kenë të njëjtën kosto të ponderuar të kapitalit. Për më tepër ata paguajnë norma të ndryshme të interesit dhe duhet të kishin pasur koeficient të ndryshëm ‘Beta’, ndërsa posedojnë të njëjtën WACC”, theksoi Aliu.

Gjatë raportimit në komisionin parlamentar për Ekonomi, kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu këto konstatime të ekspertit Aliu i quajti dezinformata për publikun.

Fejzullahu tha se nga 20 vendet që janë pjesë e Asociacionit Rajonal të Rregullatorëve të Energjisë (ERrA), 18 vende prej tyre përdorin këtë metodologji që ka marrë ZRRE-ja.

“Këto debatet të cilat tash pas katër vitesh ose në periudhën kur vendimi pothuajse është në përfundim e sipër, e konsiderojmë që nuk i kontribuojnë as cilësisë së raporteve të ZRRE-së, por as publikut, meqenëse këto mund të konsiderohen si dezinformata pasi që e përmenda një prej komponentëve saktësisht është e njëjtë. Është subjektive të thuhet që ZRRE-ja është dhjetë hapa, e pesë hapa prapa KEDS-it, dhe për këtë konsideroj që nuk do të duhej të tolerohet, dhe institucionet tona nuk do të duhej të vlerësohen nga një ekspert, por nga deputetët”, theksoi Fejzullahu.

Deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami dyshon në ZRRE-në për mënyrën e përcaktimit të të hyrave për këto kompani, duke thënë se ka vite që ZRRE mbetet në shërbim të KEDS-it.

“Unë prita që ZRRE-ja ka për ta ftuar Florin Aliun me qenë pjesë e ekipit në shqyrtimet e mëtutjeshme dhe jo me dhënë deklarata kërcënuese, kinse na keni quajtur se jeni 5 hapa pas KEDS-it. Shumica e qytetarëve në Kosovë mendojnë që ZRRE-ja tani e për një kohë të gjatë ka qenë në shërbim të kompanisë private, kjo ndoshta edhe fajin e ZRRE-së që nuk ka mbërri të argumentojë sa duhet punën e tyre, prandaj edhe atë po e kërkojmë sot. Nga deklaratat e juaja ne nuk morëm përgjigje. Nëse kostoja e ponderuar e kapitalit me një formulë që ju po thoni tek 18 vende të tjera ku del 8.3 përqind për dy kompani të cilat janë komplet të ndryshme, këtu ka shumë për të dyshuar”, theksoi Bajrami.

Ndërkaq, deputeti nga VV, Driton Hyseni theksoi se nuk e kupton pse kryetari i Bodit të ZRRE-së është në siklet nëse kanë aplikuar formulën më të mirë që është në dobi të qytetarëve.

“Ajo që po shihet, është një lloj paragjykimi nga ana e Bordit të ZRRE-së për komentet që i jep profesori Aliu. Për arsye se po e shoh edhe drejtorin, pak është si në siklet, unë nuk po di pse ke nevojë me qenë në siklet. Nëse ti ke bërë më të mirën për publikun, ke nevojë me qenë i qetë”, tha ai.

Komento: