ZRrE ndërron interpretimin e ligjit: Bizneset detyrohen të dalin në tregun e lirë të energjisë, në kundërshtim me vendimin e 2021

15:26 | 04 Qershor 2025
ZRrE ndërron interpretimin e ligjit: Bizneset detyrohen të dalin në tregun e lirë të energjisë, në kundërshtim me vendimin e 2021

ZRrE nuk ka as vendim për daljen në të ashtuquajturit treg të lirë të energjisë elektrike, por thjesht një njoftim publik para tre muajsh dhe një lexim kontra-vetes të Ligjit për Energjinë Elektrike që kishte bërë më 2021.

Ligji stipulon që për të dalë nga ‘shërbimi universal’ në ‘treg të lirë’ një kompani duhet të përmbush dy kushte: të ketë mbi 50 punonjës dhe mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor. Kështu e interpretonte edhe vetë ZRrE-ja, por jo edhe sot. Sot, ka futur 1 mijë kompani më shumë që përmbushin thjesht-njërën.

Kjo evidentohet nga një vendim i tyre pas pyetjes së një kompanie në vitin 2021, e cila punësonte 120 punëtorë por kishte qarkullim nën 10 milionë euro: “Ju i plotësoni kushtet”, i përgjigjet ZRrE-ja kompanisë, “për të qëndruar në shërbim universal”. Ky konstatim-vendim i ZRrE-së ishte dërguar nga Genc Buçaj anëtar i bordit vendimarrës edhe sot. I njëjti ligj, dy interepretime që pritet të çojë në mijëra padi në gjykata për ndryshim të interpretimit të ligjit.

“ZRrE ka analizuar dokumentet e juaja të dërguara nga ATK lidhur me qarkullimin vjetor dhe numrin e punonjësve dhe ju informon se bazuar në këto të dhëna dhe dispozitat ligjore të Ligjit për Energjinë, ju i plotësoni kriteret e furnizimit të shërbimit universal. Andaj ju mund të vazhdoni të furnizoheni përmes Furnizuesit të shërbimit universal, me çmime të rregulluara”, përgjigjet ZRrE-ja.

ZRrE i qëndronte interpretimit logjik të ligjit: që të drejtën e shërbimit universal e kanë të gjitha kompanitë që kanë ose nën 50 punëtorë ose nën 10 milion qarkullim: që do të thotë se për të qëndruar në shërbim universal kërkohet ligjërisht përmbushja e njërit kusht. Sipas ligjit – të lexuar edhe siç e lexonte ZRrE-ja – s’do të ishin më shumë se 300 kompani që plotësojnë të dyja kriteret për të dalë në treg të lirë, ndërsa ata kanë futur brenda këtij interpretimi 1 mijë e 300 kompani.

Komento: