ZRRE në takim “konsultativ” me deputetët e Komisionit për Ekonomi, reagon Avdullah Hoti

12:10 | 23 Maj 2022

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti është duke diskutuar me bordin e ZRRE-së, pas situatës së krijuar nga aktvendimi i Gjykatës së Apelit për tarifat e energjisë elektrike.

Në fillim të mbledhjes, kryesuesi i komisionit, Ferat Shala tha se “kërkesa e bordit të ZRRE-së ka qenë që ta kemi një takim konsultativ”, ndërsa tha se kërkesën e tyre e kanë pranuar. Më pas i ftoi mediat të dalin jashtë.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reguar për këtë, duke pyetur se “pse raportimi i ZRRE-së në Komisionin për Ekonomi duhet të jetë me dyer të mbyllura?!”.

“Pse publiku duhet privohet nga informatat për veprimet e ZRRE-së në përballje me krizën energjetike?! Çfarë sekreti shtetëror janë vendimet e ZRRE-së për tarifat energjetike?!”, ka pyetur Hoti.

“Kjo praktikë e raportimeve me dyer të mbyllura për çështje të zakonshme është e re dhe duhet të ndalet”, ka shkruar ai.

Ish-kryeministri tha se “publiku ka të drejtë të informohet plotësisht”.

“ZRRE-ja nuk është AKI, e as Polici apo FSK, të cilat sipas ligjit duhet t’i klasifikojnë informatat”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Komento: