
Oda Ekonomike e Kosovës ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, duke i akuzuar për moszbatim e aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Supreme dhe për dëm ekonomik ndaj bizneseve.
Sipas OEK-ut, Bordi i ZRRE-së ka injoruar vendimin e Gjykatës që kërkon rikthimin e bizneseve të nxjerra me dhunë nga tregu i lirë në skemën e çmimeve të rregulluara, gjë që sipas tyre ka prodhuar kosto historikisht të larta të energjisë për ekonomi dhe qytetarë.
Kallëzimi penal përfshin dyshime për disa vepra penale: mos-ekzekutim të vendimit gjyqësor, keqpërdorim të pozitës zyrtare, shkelje të detyrimit zyrtar, mashtrim në detyrë dhe cenim të interesit ekonomik publik. OEK argumenton se Bordi ka vepruar në kundërshtim me detyrimin ligjor për zbatim të vendimeve të formës së prerë dhe ka keqinterpretuar qëllimisht aktgjykimin e Gjykatës Supreme, duke shpërfillur pasojat në treg dhe në barrën financiare të bizneseve.
Organizata thekson se kallëzimi mbështetet në vendimin e Gjykatës Supreme, në dokumentet dhe komunikatat zyrtare të ZRRE-së, si dhe në materialet që, sipas tyre, dëshmojnë dëmin ekonomik të shkaktuar nga vendimmarrja e Bordit. OEK e quan këtë hap të domosdoshëm për të garantuar llogaridhënie dhe për të ndaluar, siç e përshkruan, praktikën e vazhdueshme të injorimit të vendimeve gjyqësore në sektorin e energjisë.